Art & Kulturë Sot Nuk Është e Hënë

“Kohë Astrale”/ Në pritje të fundit të paevitueshëm, si të ndryshosh një realitet që duket se nuk ka shpëtim!

Çdo javë Koloreto Cukali sjell një pasqyrë mjaft të detajuar nga një libër i përzgjedhur. Këtë here në “Sot Nuk Është e Hënë” ai solli “Kohë Astrale” nga autori Dritan Sulçebe, prezantuar për herë të parë në Panirin e Librit këtë vit.

Dritan Sulçebe ka përfunduar studimet për drejtësi, por gjen një lidhje të bukur me letërsinë përmes fjalës, duke e parë atë si një lloj pushteti për t’i ndryshuar gjërat. “Kohë Astrale” ka lindur si ide rreth 5 vite më parë dhe është një roman distopik.

Bëhet fjalë për një kohë të ardhme, jo shumë të largët nga e sotmja, ku në fokus janë shtatë njerëz të gjendur rastësisht në qilarin e një lokali nate duke pritur fundin. Shpresat, ëndrrat dhe iluzionet e tyre shpalosin një botë të tërë distopike, nëpër të cilën veprojnë një çetë profetësh të etur për të krijuar një botë të re, por edhe revolucionarë romantikë të frymëzuar nga e kaluara, duke u rrekur të hapin një shteg drejt një shoqërie sa më të drejtë.

Gjithçka dukej e rreme, porsi shkërbimi i një realiteti që kishte humbur kush e di se ku. Të gjitha vendet dikur të hareshme, tashmë kishin marrë konture fluide që shprehnin bjerrjen e një iluzioni tek pritej të rrëzohej nga çasti në çast. Bota vërtet dukej sikur kishte dalë nga shinat, duke u zhytur në një vorbull të errët, ku asgjë nuk kishte më kuptimin e dikurshëm. Kaosi tashmë sundonte i lirë dhe i verbër, porsi një përbindësh, që nuk dinte të dallonte të pafajshmit nga mëkatarët, të urtët nga të marrët, fëmijët nga të rriturit, duke i gëlltitur të gjithë po njëlloj.

Në mes të kësaj turbullire, spikasin edhe vizione mbi një të ardhme të largët të dominuar nga njerëz të modifikuar gjenetikisht që bien pre e marrëzisë së tyre; histori mbi heronj të së kaluarës që rreken më kot të ndryshojnë një realitet që nuk e mundin dot kurrë; ndodhi paranormale që paralajmërojnë pikërisht fundin e pritshëm. Romani “Kohë Astrale” i ka të gjitha, thriller, satirë dhe endje filozofike apo metafizike.