Pasò Politikë Sport

Kokëdhima: Gjest fëminor, Rama gënjeu për premtimet që iu dha klubeve të futbollit, ja çfarë pritet!

I ftuar sot në emision sportiv “Pasó” ishte presidenti i klubit të futbollit Apollonia, Koço Kokëdhima. Klubi i futbollit Apollonia është i qytetit të Fierit, ndërsa ai diskutoi gjerë e gjatë rreth marrëdhënies së sportit me politikën dhe mesa duket gjerat kanë dalë jashtë parashikimeve.

Në një intervistë për Top Albania Radio, Koço Kokëdhima shprehet se sporti nuk mund të bëjë dot pa politikën. Sa i përket çështjeve madhore që ka futbolli, Kokëdhima foli edhe për negociatat që nuk u bënë kurrë në futboll.

Për fat të keq nuk është përmbushur asnjë nga ato kërkesa të klubeve, ajo që ndodhi në të vërtetë, nuk është se u tërhoqën klubet, por një përfaqësi me tre presidentë të klubeve takoi kryeministrin dhe mori garanci të plota prej tij.

Premtime të qarta në prezencë të Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, premtime që ai do t’i plotësonte këto kërkesa dhe ai u angazhua që një nga këto kërkesa do t’i bënte që në javën pasuese dhe pastaj në vazhdimësi do t’i plotësonte dhe i mori si përgjegjsi personale, plotësimin e tyre duke i quajtur ato si kërkesa të drejta.

Fakti që ai gënjeu tre presidentët e futbollit nuk është ndonjë meritë për të dhe nuk është një ç’meritë për ata që besuan tek kryeministri dhe tek përbetimet e tij…

Pra premtimi që duhet të mbante kryeministri Rama ishte thjesht një gjest pozitiv nga ana e tij, asgjë më tepër, bëhet fjalë për faljen e gjobave dhe kamatvonesave.

Kjo për mendimin tim është shumë fëminore dhe shumë e pandershme që të gënjesh përfaqësuesit e një tryeze zyrtare të një institucioni, praktikisht siç është Liga… -shtoi presidenti i klubit të Apollonisë.

Gjithashtu, ai theksoi se pas gjithë kësaj, premtimeve që nuk u mbajtën që nga fillimi i nëntorit, më 26 shkurt pritet të bëhet një mbledhje dhe të zgjidhen problematikat më madhore.