Aktualitet

Kolegji Zgjedhor “vulos” Gjirokastrën, “nuk ka përsëritje të zgjedhjeve!”

Kolegji Zgjedhor rrëzoi padinë e PD-LSI e të kandidatit të pavarur të mbështetur nga Vetëvendosja, Kreshnik Merxhani për rezultatin e qarkut të Gjirokastrës në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Ato kërkonin pavlefshmërinë e zgjedhjeve në këtë qark, por pa sukses!

Përfaqësuesit e opozitës reaguan e bënë të ditur se nuk e pranojnë vendimin! Ivi Kaso i PD-së deklaroi:

Nuk do të heqim dorë nga transparenca e këtij procesi elektoral që ka qenë më i ndikuar nga interesat e maxhorancës, që nuk lejonte shqiptarët të votonin të lirë! Beteja për transparencë është shumëplanëshe, e kemi zhvilluar në planin administrativ, në KAS dhe KQZ, do të bëhet në rrugë penale, mund të zhvillohet në rrafshe të tjera kushtetuese sepse shkeljet që ne kemi prekur janë shumëpalëshe.

Çdo veprim i tyre, në mos sot do të vihet përpara shërbimeve ligjzbatuese dhe të gjithë do të japin llogari për procesin e 25 prillit. LSI dhe Opozita nuk pranojnë një vendim të dhënë për këto shkaqe. Nuk ka se si pranon faktin që lënia e një vendimi kaq të shkurtër të pranohet nga ana jonë. Në këto zgjedhje janë formuluar kaq shumë kërkesa dhe prova se në zgjedhjet e tjera. Anëtarët e KAS-it e kanë pasur shumë të lehtë për të marrë kërkesat për provë dhe t’i shqyrtonin ato, për të dhënë vendime objektive!

Përfaqësuesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Altin Kaziaj:

LSI s’ka si e pranon  humbjen kur kërkesat nuk janë marrë në shqyrtim. Dhënia e vendimit në një kohë kaq të shkurtër nuk pranohet nga ana jonë! Në këto zgjedhje janë formuluar aq shumë kërkesa sa nuk kanë qenë në të gjitha zgjedhjet e tjera të bëra bashkë!

Më herët gjatë ditës, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, KAS rrëzoi ankesat e opozitës dhe për tre qarqet e mbetura: Fierin, Elbasanin e Korçën. Zgjedhjet nuk u shpallën “të pavlefshme” e nuk do të ketë ripërsëritje të tyre.