Aktualitet

Komisioni Europian shqetësim për pasaportat e arta të Shqipërisë!

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor për shtetasit e të cilëve janë hequr vizat, Komisioni Europian kërkon harmonizim të politikave të tyre në  raportin e pestë për monitorimin e pezullimit të vizave. Ndër të tjera, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi paralajmërohen lidhur me skemat e dhënies së shtetësisë për investitorët e huaj. Sipas Brukselit zyrtar, “aplikimi i pasaportave të arta mund të sjellë sërish regjimin e vizave për vendet përkatëse”.

Shqetësim për “pasaportat e arta” të Shqipërisë

Pavarësisht nga shqetësimet e shprehura më parë nga Komisioni Europian, “Shqipëria vijon të ketë në fuqi legjislacionin që lejon marrjen e një ‘shtetësie sipas skemës së investimeve (‘pasaportat e arta’).

Më tej, raporti ngre shqetësimi se të tilla skema, shtetësi kundrejt investimit, mund të nxisin emigracionin e parregullt në BE, si edhe të minojnë masat për të parandaluar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.

Ky është një shqetësim i madh për Bashkimin Europian, në kuadrin e marrëveshjes pa viza me Shqipërinë. Nëse të tilla skema “përbëjnë rrezik në rritje për sigurinë e brendshme”, regjimi pa viza mund të anulohet”.

Vërejtje edhe në adresë të Maqedonisë së Veriut e Malit të Zi

Komisioni ka kritika edhe në adresë të Malit të Zi për shkak të politikës së dhënies së shtetësisë. Ndërsa Shqipëria ende nuk ka filluar të aplikojë ligjin e shtetësisë, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, vijuan t’i japin, megjithë paralajmërimet nga Brukseli.

Vitin e kaluar, Mali i Zi pranoi aplikime për natyralizim nga 807 shtetas të huaj. Deri në dhjetor 2021, mbi këtë bazë u lëshuan 264 pasaporta malazeze.

Komisioni Europian i tërheq vëmendjen edhe Maqedonisë së Veriut, që sipas raportit dha 115 shtetësi më 2021-shin, shifër më e lartë se në vitin 2020, vetëm 103.

Pasaportat e arta mund të rikthejnë vizat

Brukseli zyrtar i paralajmëron këto vende se do të vijojë të monitorojë praktikimin  e “pasaportave të arta”. Nëse të tilla skema përdoren për të anashkaluar procedurën e vizave të BE-së ose për “pastrim parash”, apo të rezultojnë se përbëjnë rrezik për sigurinë, Komisioni do të kërkojë rivendosjen e regjimit të vizave.

Harmonizimi i politikave të dhënies së vizave

Kritika ndaj Shqipërisë edhe sa i përket politikës së vizave.

Shqipëria nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të harmonizuar më tej politikën e saj të vizave me listën e vendeve të treta, për shtetasit e të cilëve BE kërkon vizë. Përkundrazi, në vitin 2021 dhe në fillim të vitit 2022, Shqipëria u largua më shumë nga rekomandimet.

Në raport kërkohet që në të ardhmen të mos ketë devijime të tjera nga lista e vendeve, për të cilat BE kërkon viza.

Më së shumti, kjo vlen për ato vende të treta që kanë emigrim të parregullt ose që përbëjnë rreziqe sigurie.

Përpara vitit 2021, Shqipëria kishte marrëveshje pa viza me Armeninë, Azerbajxhanin, Bjellorusinë, Kinën, Guajanën, Kazakistanin, Kuvajtin e Turqinë. Ndërkohë, hoqi kërkesat për viza sezonale (nga maji në shtator) për shtetasit e Bahreinit, Omanit, Katarit, Rusisë, Arabisë Saudite dhe Tajlandës.

Në raport kritikohet edhe heqja e vizave sezonale për shtetas të huaj që janë rezidentë në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Shumë prej tyre kanë përfunduar si refugjatë në BE.