Bota

Komisioni Evropian miraton strategjinë e vaksinimit anti-Covid

Brukseli zyrtar miratoi sot strategjinë për vaksinimin masiv në Bashkimin Europian kundër COVID-19/ës, ndërsa mbetet në pritje të konfirmimit të vaksinave të para. Me këtë strategji, Komisioni Europian, dëshiron nga të gjitha vendet anëtare të ko’ordinohen, që procesi i vaksinimit të jetë i njëkohshëm, të përfshijë grupet prioritare dhe çdo shtet të furnizohet me vaksina kundër koronavirusit sipas numrit të banorëve.

KE thotë se vendet anëtare duhet të përgatisin stafin e duhur profesional, mjetet e transportit për vaksinat me paisje dhe kushte specifike dhe të ketë një fushatë të informimit të qytetarëve për dobitë dhe rreziqet eventuale të vaksinës, në mënyrë që të rritet besimi i qytetarëve.

Brukseli pret që edhe vendet e Ballkanit të ndjekin të njëjtën strategji e të vazhdojnë bashkëpunimin me Bashkimin Europian, siç kanë bërë që nga fillimi i pandemisë.

Komisioni Evropian tashmë ka nënshkruar kontrata për qindra miliona doza vaksinash me disa prodhues potencial të vaksinës në mënyrë që të siguroj sasi të duhura për të gjitha shtetet anëtare. Më pas, shtetet anëtare, do të mund të porosisin sasi të vaksinave edhe për shtetet e treta, përfshirë edhe ato të Ballkanit Perëndimor.