Aktualitet Politikë

Komisioni i Ligjeve konstaton mungesën e kandidatëve për president/Raundi i dytë i votimit, pa emra!

Ende asnjë emër kandidati për presidentin e ri të vendit, ndaj digjet edhe raundi i dytë i votimit në Kuvend, i përcaktuar për sot në orën 18:00. Në këtë mënyrë, raundi i dytë do të ketë fatin e të parit. Grupi demokrat refuzoi të propozonte, ndërsa maxhoranca e ka bërë të qartë se do të sjellë emra pas raundit të tretë. Në të katërtin dhe të pestin, nuk duhet më shumicë e cilësuar votash për të zgjedhur kreun e shtetit. Sot në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, zyrtarisht u konstatua se nuk ka një kandidat për presidentin e ri të vendit, ndërsa u miratua raporti që do t’i depozitohet Kuvendit për votim.

Ditë më parë, palët ishin dakordësuar për t’i lënë opozitës të drejtën për të propozuar e para kandidatin për president deri në raundin e tretë të votimit, por marrëveshja nuk po shkon siç duhet. Negociatat u kthyen në pikën zero. Tre ditë më parë, kreu i grupit demokrat, Enkelejd Alibeaj, i cili mori pjesë në negociatat me socialistët, i akuzoi për ndryshim të qëndrimit e tha se “Partia Socialiste donte të vidhte procesin”.

Socialistët biseduan me përfaqësues të grupit parlamentar demokrat e bënë të qartë se nuk do ta negociojnë zgjedhjen e presidentit të ri me persona të shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara, referuar Berishës, i cili një ditë më parë u rikonfirmua në krye të PD-së ku rikthehet pas 9 vitesh.

Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, kandidati për president i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh. Për zgjedhjen e Kryetarit të Shtetit, Parlamenti zhvillon deri në pesë votime. Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave, 84. Pra, në tre raundet e para kërkohet me patjet shumicë e cilësuar. Por, në votimin e katërt dhe atë të pestë zgjidhet president ose presidente, kandidati apo kandidatja që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit, shumicën e thjeshtë.