Politikë

Komisioni i Ligjeve rrëzon dekretin e Presidentit Meta

Pa surpriza, me 15 vota Komisioni i Ligjeve rrëzoi dekretin e Presidentit të Republikës Ilir Meta i cili i ktheu Kuvendit për rishqyrtim ndryshimet e Kodit Zgjedhor. Pro dekretit të Metës votuan vetëm dy deputetë. Edhe pas apelit të dytë të Eurokomisionerit Varhelyi për të pritur Venecian para rivotimit të Kodit Zgjedhor, Kryeministri Rama rikonfirmoi vendosmërinë për të rrëzuar dekretin e presidentit Metës, i cili e ktheu në Kuvend.

Rama tha se Komisioni i Venecias është i mirëpritur të sjellë opinionin dhe se për shkak të kohës së kufizuar, diskutimet shtyhen për pas zgjedhjeve të 25 Prillit 2021. Presidenti i Republikës sot iu drejtua Kuvendit me kërkesë zyrtare për të marrë parasysh opinionin e Komisionit të Venecias në votimin e dytë të ndryshimeve të Kodit Zgjedhor. Ilir Meta argumenton se këshillat e Venecias janë me rëndësi dhe politika duhet t’i integrojë në Kodin e ri Elektoral që të aplikohen më 25 prill.

Edhe Partia Demokratike përmes Sekretarit të Përgjithshëm Gazment Bardhi kërkoi që qeveria të konsiderojë ekspertizën e Venecias dhe të ODIHR-it pasi Shqipëria duhet të zhvillojë zgjedhje me standarde ndërkombëtare.