Politikë

Komisioni i Rithemelimit sërish në PD, letër Bashës: Deri më 5 janar ta kesh liruar zyrën

Komisioni i Rithemelimit të PD ka shkuar sërish në selinë e PD, por ish-kryeministri Sali Berisha mungonte. Qëllimi, vendosja e një afati për kryetarin e PD Lulzim Basha për t’u larguar nga zyra.

Anëtari i Komisionit të Rithemelimit Belind Këlliçi ka lexuar letrën ku Lulzim Basha informohej si deputet për shkarkimin e tij nga Kuvendi i 11 dhjetorit dhe i kërkohet të lirojë zyrën e kryetarit, si dhe të bëjë dorëzimet tek Komisioni deri më 5 janar.

“Kërkohet që të merrni të gjitha masat për të jetësuar vullnetin e qartë të demokratëve, duke liruar ambientet e punës së kryetarit të partisë dhe duke kryer dorëzimet tek Komisioni deri më 5 janar”.

Objekti i letrës së Komisionit ishte njoftimi mbi vendimmarrjen e PD drejtuar Lulzim Bashës si dhe për dijeni trupit diplomatik.

Të pranishëm ishin Albana Vokshi, Flamur Noka, Çlirim Gjata, Klevis Balliu, Floriana Garo, Tritan Shehu, Flamur Baçi, Bujar Nishani, Gent Strazimiri, Voltana Ademi, Belind Këlliçi etj.