Rajoni

Komisioni i Venecias miraton fillimin e vetting-ut në drejtësinë e Kosovës!

Pas vlerësimit të Komisionit të Venecias për dokumentin e konceptuar nga Qeveria e Kosovës për vetting në drejtësi dhe projektligjin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin e Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, Kosova do të nisë me zbatimin e këtyre dy proceseve. Kjo u bë e ditur sot nga kryeministri Albin Kurti, në një konferencë për media:

Vetting-u është i domosdoshëm, po ashtu edhe konfiskimi i pasurisë i fituar në mënyrë të paligjshme. Sot fillojmë me jetësimin e punës një vjeçare të Ministrisë së Drejtësisë, në realizimin e këtyre proceseve jetike për Kosovën, me përkrahjen e Komisionit të Venecias. Gjithçka që kërkohet nga Qeveria e Kosovës do t’i dërgohet Kuvendit në kohë rekord.

Më 13 tetor, Qeveria e Kosovës miratoi koncept-dokumentin për vetting-un në drejtësi, përmes së cilit synohet të forcohet sundimi i ligjit, si dhe projektligjin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin e Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu:

Që të dyja këto nisma të rëndësishme janë mbështetur nga anëtarët e Komisionit të Venecias në seancën e djeshme dhe tashmë kemi marrë dritën e gjelbër për të filluar me procesin e vetting-ut, por po ashtu edhe për të formalizuar punën e Byrosë Shtetërore për Konfiskim e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Në konstatimet e Komisionit të Venecias, rekomandohen veprime për ndryshimet e nevojshme ligjore e kushtetuese, që të arrihet rezultati i synuar për një gjyqësor me integritet profesional dhe efikas.

Fillimisht, Komisioni rekomandon verifikimin e niveleve të larta në gjyqësor e në prokurori, përmes një mekanizimi të jashtëm, pra nivele të larta duke filluar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës, si dhe kryetarë të të gjitha gjykatave e kryeprokurorë të të gjitha prokurorive.

Duke cituar opinionin e këtij komisioni, ministrja e Drejtësisë tha se “Komisioni konstaton së në kontekstin e Kosovës, një vetting efektiv do të kërkonte kombinimin e masave të ndryshme që do të kenë efekt pozitiv në integritetin dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë”.