Pasò Sport

Komiteti Teknik anti-COVID, i thotë JO FSHF-së për të lejuar tifozët në ndeshjen Shqipëri-Angli

Federata Shqiptare e Futbollit i ka paraqitur Komitetit Teknik Anti-COVID kërkesën për të lejuar një numër të kufizuar tifozësh në ndeshjen e 28 marsit në Arenën Kombëtare Air Albania. I ftuar në Emisionin “PASO” në Top Albania Radio, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit informoi se grupi i ekspertëve të shëndetësisë ka refuzuar lejimin e tifozëve qoftë edhe në numër të reduktuar dhe me distancë nga njëri tjetri:

Kemi bërë një kërkesë Ministrisë së Shëndetësisë para disa kohëve, ku ju kemi kërkuar të kemi 30% të stadiumit siç ka ndodhur në disa ndeshje të tjera, por kemi marrë një përgjigje negative nga Ministria e Shëndetësisë që nuk e ka marrë parasysh kërkesën e FSHF, ndaj ndeshja me Anglinë do të luhet pa tifozë.

Ilir Shulku shprehet se në vendet e tjera të botës, kjo gjë lejohet me disa tifozë të përzgjedhur. Madje ai shton se 30% që do të ishin prezentë në ndeshje do të zbatonin të gjithë protokollin sanitar dhe më e rëndësishmja do të mbanin distancë. Normalisht që shëndeti është parësor, por tifozët do t’i respektonin të gjitha rregullat. Ilir Shulku theksoi se federata nuk kishin forcë për ta kundërshtuar vendimin e Komiteti Teknik anti-COVID.

Masat anti-COVID kanë kushtëzuar zhvillimin e ndeshjeve pa tifozë në shumë shtete të Evropës.