Bota Tech

Kompania Meta pëson rënie të të ardhurave për herë të parë!

Meta, kompania amë e rrjetit social, Facebook, ka pësuar rënie të të ardhurave për herë të parë. Ky fakt shënon epokë të re për Facebook-un, që vazhdimisht ka raportuar rritje prej vitit 2012. Parashikimet për muajt vijues nuk kanë treguar shenja të përmirësimit dhe themeluesi i Facebook-ut, Mark Zuckberberg, pohon se kompania planifikon të fokusohet në periudhën afatgjatë.

Të ardhurat e Meta-s kanë rënë në çerekun e dytë për gati 1% në 28.8 miliardë dollarë, ndërsa fitimet për 27% në rreth 6.7 miliardë dollarë. Shefja operative, Sheryl Sandberg, thote se forcimi i dollarit amerikan i ka bërë të pafavorshme kurset e këmbimit. Shefi i financave, Dave Wehner, ka thënë se ulja e marketingut online në kohën e paqartësive ekonomike, është një tjetër arsye për këtë rënie. Facebook-u ka 1.97 miliard përdorues brenda ditës. Meta ka në pronësi edhe platformat tjera si WhatsApp dhe Instagram.

Rikujtojmë, se kërkesa e gjatë e shumë përdoruesve, më në fund është e realizueshme në Facebook. Rrjeti social, tani e tutje lejon të shihen vetëm postimet e miqve dhe faqeve për të cilat ju keni interes me një opsion të ri ‘Feeds’. Shumë njerëz janë ankuar për News Feed kryesor, sepse shihnin shpeshherë postime për të cilat nuk ishin të interesuar. Tashmë, me versionin e ri të Feed, mund të shihen postimet më të fundit të miqve, faqeve apo grupeve.

Mund të përzgjidhen të tria kategoritë ose vetëm ato që përbëjnë interes për përdoruesin. Përditësimi lejon edhe krijimin e një liste me të preferuar, kështu që përdoruesi mund të shohë vetëm postimet e njerëzve që dëshiron. Reklamat do të vazhdojnë të jenë të dukshme. Opsioni i mëparshëm i Feed quhet Home.