Auto & Moto Bota

Kompania ruse do të nisë prodhimin e “Toyota”-ve të vjetra në Shën Petersburg!

Kompania ruse Aurus ka marrë në dorëzim ish-fabrikën e makinave Toyota në Shën Petersburg, tha sot nënkryetari i Qeverisë ruse dhe ministri i Industrisë dhe Tregtisë Denis Manturov.

Sipas tij, Aurus mund të nisë prodhimin e makinave në Shën Petersburg deri në fund të vitit, raporton Kommersant.

Kompania Aurus, e themeluar në vitin 2018, është në pronësi të institutit rus NAMI (63.5 për qind), fondit Tavazun nga Emiratet e Bashkuara Arabe (36 për qind) dhe kompanisë ruse Solers (0.5 për qind).

Aurus është më i njohur për prodhimin e kamionçinës luksoze Arsenal dhe SUV të quajtur Komendant, raportojnë mediat.

Këto automjete u emëruan sipas kullave të Kremlinit të Moskës.

Kujtojmë se në fillim të këtij viti, Korporata Toyota Motor e Japonisë u bëri thirrje pronarëve të 50,000 automjeteve të vjetra që të kryejnë riparimet menjëherë, sepse fryrësi i airbag-ut mund të shpërthejë, duke vrarë potencialisht shoferët.

Prodhuesi japonez i automjeteve vuri në dukje se rekomandimi vlen për disa modele Corolla dhe Corolla Matrix të viteve 2003-2004, si dhe RAV4 2004-2005, të cilat kanë airbag të prodhuesit të fundit japonez Takata, raportoi Reuters.

Më shumë se 30 vdekje në mbarë botën, duke përfshirë 26 në SHBA, si dhe qindra lëndime në automjete nga prodhues të ndryshëm automjetesh që nga viti 2009 kanë qenë të lidhura me airbagët Takata.

Pajisjet mund të shpërthejnë, duke lëshuar copëza metalike brenda makinave dhe kamionëve, sipas Reuters.

Tërheqje të shumta të automjeteve nga prodhuesit globalë të pajisur me airbag Takata janë regjistruar gjatë dekadës së fundit dhe kompania japoneze shpalli falimentimin në 2017.