Bota

Kompania ruse Gazprom ul ndjeshëm furnizimet me gaz në Evropë

Kompania ruse Gazprom ka përdorur klauzolën e “forcës madhore” si shkak për uljen e furnizimeve me gaz në Evropë për të paktën një klient të madh, sipas letrës së datës 14 korrik dhe të publikuar nga agjencia Reuters të hënën.

Në letër thuhej se Gazprom, i cili ka një monopol mbi eksportet e gazit rus, nuk mund të përmbushë detyrimet e furnizimit për shkak të rrethanave “të jashtëzakonshme” që janë jashtë kontrollit të kompanisë.

Sipas burimeve, në letër bëhet fjalë për furnizimet nëpërmjet gazsjellësit Rrjedha Veriore 1, furnizuesi kryesor për Gjermaninë dhe një pjese të Evropës.

Kompania Gazprom nuk komentoi menjëherë mbi çështjen.

Përdorimi i klauzolës së “forcës madhore”, që hyn në fuqi kur një biznes goditet nga faktorë jashtë kontrollit të tij, ka të ngjarë të përshkallëzojë tensionet midis Rusisë dhe Perëndimit mbi pushtimin rus të Ukrainës, veprim që Moska e quan një “operacion ushtarak special”.

Bashkimi Evropian, i cili ka vendosur sanksione ndaj Moskës, synon të ndalojë përdorimin e lëndëve djegëse fosile ruse deri në vitin 2027-të, por kërkon që furnizimet të vazhdojnë tani për tani, deri sa të largohet nga varësia e karburanteve ruse.

Furnizimi me gaz rus është ulur ndjeshëm përmes rrugëve kryesore, përfshi Ukrainën dhe Bjellorusinë dhe përmes Rrjedhës Veriore 1 në Detin Baltik.

Gazsjellësi Rrjedha Veriore 1 aktualisht po i nënshtrohet mirëmbajtjes.