Aktualitet

Kompensimi i ish pronarëve shkon në 10%, refuzohet kërkesa e PD për 100% të vlerës

Ndryshimi i masës së kompensimit të ish-pronarëve, në 10% të vlerës për tokat që kanë ndryshuar zërin kadastral, shkaktoi debate në komisionin parlamentar për çështjet ligjore. Opozita kërkoi që ish-pronarët të kompensohen sipas çmimit të tregut aktual me 100% të vlerës së pronës, propozim i cili u hodh poshtë nga mazhoranca duke argumentuar se mundësitë e shtetit shqiptar janë të limituara.

Komisioni i Ligjeve miratoi ndryshimet për kompensimin e ish-pronarëve. Akti i ardhur në parlament nga qeveria ndryshonte formulën e përllogaritjes së kompensimit për tokat që kanë ndryshuar zërin kadastral, duke caktuar se kjo nuk duhet të jetë më shumë se 10% e vlerës aktuale, pikë kjo që ndezi edhe debatin në komision.

“Ju e keni bërë një gjë fare të thjeshtë dhe që në fakt tregon, pse jo, qasjen që PS ka pasur ndaj procesit të kthimit të pronave. Të mos jepet asgjë! Të mbyten në procedura pafund, të vdesin gjyqeve, të shkojnë dhe të lëngojnë gjykatave. Po të doni ju, ju them edhe një gjë tjetër, një pjesë të fajit e keni pasur edhe ne PD”, tha Alibeaj.

Retorikën politike Enkelejd Alibeaj e konkretizoi në amendament ligjor duke kërkuar ndryshimin e masës së kompensimit. “E gjithë vuajtja, e gjithë lëngata, sot ju i thoni shqiptarëve që ia konvertoni me 1/10. Me një 10%. Amendamenti është ky, kompensimi të jetë 100%”. “Pa diskutim të ishte mundësia që të shkonim edhe tej këtyre limiteve, por kështu është vlerësuar edhe nga Gjykata Europiane të drejtave të njeriut, ashtu edhe nga Gjykata Kushtetuese, ashtu edhe mundësitë e shtetit shqiptar për një shpërblim të drejtë”, tha Klotilda Bushka.

Propozimi i demokratëve u hodh poshtë nga ana e komisionit nën argumentin e pa mundësive financiare. Sipas ndryshimeve të miratuara, parashikohet gjithashtu edhe rihapja e afatit për shqyrtimin e dosjeve deri në datën 31 dhjetor 2024.