Design Lifestyle

Kompleksi i mbuluar nga pemët i cili krahasohet me një nga 7 mrekullitë e botës së lashtë!

Një kompleks magjepsës është duke u ndërtuar në Shangai të Kinës, i cili është krahasuar me “Kopshtet e Varura të Babilonisë”. Kopshtet e varura të Babilonisë ishin një nga shtatë mrekullitë e botës së lashtë të listuara nga kultura helene. Kompleksi është i vendosur përgjatë lumit Suzhou dhe shtrihet në një hapësirë rreth 60 mijë metra katrorë. Në ndërtesën e përfunduar, deri tani janë mbjellë afërsisht 125 mijë bimë, ndërsa është parashikuar që të mbillen edhe po kaq të tjera, derisa kompleksi të jetë gati në vitin 2024.

Kompania britanike e arkitekturës ‘Heatherwick Studio’ e ka projektuar këtë ndërtesë që të duket si dy male të mbuluara nga pyjet. Pemët e mbjella kanë gjelbërim të përhershëm, po ashtu edhe bimët e varura janë të përfshira në dizajnin e kompleksit. Ndërkohë, në katet e poshtme të godinës janë mbjellë lule, të cilat krijojnë pamjen e një shpati mali që ndryshon me stinët.

Rikujtojmë, se një ndërtesë në Holandë duket sikur ka nisur të shembet, por në të vërtetë nuk është kështu. Ndërtimi është një objekt krejt i ri që po ndërtohet në Amsterdam, i projektuar qëllimisht për t’u dukur sikur pjesë të mëdha janë rrëzuar prej tij. Kompleksi 75,000 metra katror i quajtur ‘Valley’, u projektua nga firma holandeze e arkitekturës MVRDV. “Valley”, e cila do të hapet në vitin 2022, përmban tre “maja”, më e larta prej të cilave është 100 m e lartë.