Celebrities Music

Kompozitori i njohur shet katalogun 60-vjeçar të këngëve të tij!

“Sony Music Publishing” njoftoi sot blerjen e bibliotekës muzikore të kompozitorit 79-vjeçar Paul Simon, që përfshin gjashtë dekada krijime. Katalogu thuhet se përfshin punën e Simon me Art Garfunkel nga 1964 deri në 1970, si edhe regjistrimet e tij solo.

Simon tha në një deklaratë:

Unë e fillova karrierën time në Columbia/Sony Records dhe më duket si një shtrirje e natyrshme të punoj edhe me Publishing gjithashtu.

Simon i bashkohet kështu muzikantëve të tjerë të epokës së tij, përfshirë Neil Young, Bob Dylan, Stevie Nicks dhe David Crosby, që dorëzojnë kujdestarinë e punës së tyre. Kushtet financiare të marrëveshjes së Simon nuk u bënë të ditura.

Dylan besohet të ketë marrë rreth 300 milionë dollarë për këngët e tij, megjithëse kjo shifër nuk u konfirmua kurrë. Kur marrëveshja e Young u njoftua në fillim të vitit, u raportua se ai arkëtoi të drejtat e gjysmës së muzikës së tij për 100 milionë dollarë. Simon ka fituar shumë çmime Grammy dhe është futur në “Hall of Fame of Rock and Roll” si artist solo, ashtu edhe si pjesë e Simon & Garfunkel.