Aktualitet Rajoni

Komuniteti Politik Europian, çfarë pritet nga takimi në Pragë?

Sot dhe nesër, kryeqyteti i Republikës Çeke, Praga do të jetë qendra e politikës europiane, për të diskutuar luftën në Ukrainë dhe ndikimet në fusha të ndryshme të politikave.

Çfarë po ndodh?

Liderët e të gjitha shteteve europiane, përveç Bjellorusisë e Rusisë, sot mblidhen në Kështjellën e Pragës për të diskutuar çështjet që lidhen me situatën e sigurisë në kontinent, ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon. Ky takim, organizohet edhe për të prezantuar Komunitetin Politik Europian, ide që fillimisht u promovua në muajin maj nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Ndërkohë nesër, kryeqyteti çek pret një samit joformal të Bashkimit Europian, po në Kështjellën e Pragës. Liderë të 27 shteteve anëtare do të bisedojnë për sanksionet e Rusisë e krizën energjetike, ndërsa kontinenti pritet të përballet me dimër të vështirë.
Kush do të jetë pjesëmarrës i takimeve të Pragës?

Ftesat u janë dërguar liderëve të 44 shteteve europiane dhe sipas diplomatëve të BE-së, pati “përgjigje pozitive nga të gjithë, por disa ende nuk kanë kthyer përgjigje përfundimtare”. Mes atyre që hezitojnë janë presidenti serb, Aleksandar Vuçiç dhe ai turk, Recep Tayyip Erdogan.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do t’u drejtohet të pranishmëve online e në Çeki shkon kryeministri Denys Shmyhal.

Këshilltarët e 44 liderëve u takuan në Bruksel më 29 shtator. Afati i fundit për të konfirmuar pjesëmarrjen është ora 13:00 e ditës së sotme, që përkon me nisjen e takimit.

Çfarë është Komuniteti Politik Europian?

Ky komunitet nuk zëvendëson organizatat ekzistuese politike, strukturat apo proceset dhe nuk ka për qëllim të krijojë diçka të re, të paktën në këtë fazë. Diplomatët e BE-së theksojnë se Unioni është në rol “lehtësues” e ky nuk është “proces që udhëhiqet nga BE-ja” ose ndonjë lloj i “BE++”. Pra, nuk ka vend që kandidatët për anëtarësim në bllok apo shtetet e mundshme kandidate në Ballkanin Perëndimor e jo vetëm, të frikësohen se do të zëvendësojë procesin e zgjerimit të Bllokut europian.

Nuk do të ketë deklaratë përfundimtare e as ndonjë deklaratë të shkruar në fund të takimit. Ata duan të shmangin zënkat lidhur me formulimet e veton për tekstin përfundimtar.

Në thelb, Komuniteti Politik Europian është një platformë e re për liderët europianë që të takohen një apo dy herë brenda vitit, për të diskutuar për çështjet kryesore. Shumë kanë dyshime se një platformë e tillë është e nevojshme, duke pasur parasysh se ekzistojnë struktura si OSBE-ja e Këshilli i Europës dhe siç u shpreh një diplomat:

Shumë gjëra kanë nisur vetëm me një takim, është fillimi i procesit dhe ne duhet të presim që të shohim se çfarë do të ndodhë më pas.