Aktualitet

Konferenca “100 vjet marrëdhënie diplomatike Shqipëri-SHBA”, videomesazh i presidentit Biden!

Presidenti Joe Biden uron shqiptarët me rastin e 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në videomesazhin drejtuar konferencës së mbajtur sot në Tiranë, “100 vjet marrëdhënie diplomatike Shqipëri-SHBA”, Biden theksoi se “në të ardhmen, SHBA-të do të vazhdojnë të qëndrojnë pranë Shqipërisë”.

Dërgoj urimet më të përzemërta për miqësinë jetëgjatë të SHBA-ve, ndërsa festojmë 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes vendeve tona. Kur SHBA-të mbrojtën pavarësinë e Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore u krijua një miqësi e përhershme e popujve tanë, një dashuri e përbashkët për lirinë dhe vlerat e demokracisë të cilat nuk u thyen kurrë edhe në dekadat e diktaturës.

Në të ardhmen SHBA-të do të vazhdojnë që të qëndrojnë pranë Shqipërisë, ndërsa vendi forcon institucionet demokratike, lufton korrupsionin dhe përmbushni udhëtimin për t’iu bashkuar BE. Uroj që dy kombet të vazhdojnë të ndërtojnë gjithçka kemi arritur së bashku dhe të ofrojmë një të ardhme më shpresëdhënëse për fëmijët tanë.

Në konferencën ku mes të pranishmëve ishin edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ambasadorja amerikane, Yuri Kim, kryeministri Rama mbajti një fjalë:

Pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria sot nuk do të ishte në gjendje të përballej me të keqen dhe me të shkuarën, e cila vazhdon të jetë pjesë e përpjekjes sonë të përditshme, e cila vazhdon të rishfaqet përpara nesh në forma nga më të ndryshmet, që nga rezistenca ndaj ndryshimit dhe rezistenca ndaj krijimit të kushteve që në këtë vend të ketë drejtësi të drejtë për të gjithë e deri tek hijet e të shkuarës më të errët komuniste që ne mendojmë se i ka tretur e kaluara por që prapë, pa prit e pa kujtuar, na dalin përpara.

Ne do të bëjmë të mundur që e shkuara, e cila vazhdon të jetë kërcënim edhe sot, është e vërtetë, të mos jetë më kurrë kërcenim për Ballkanin, por të jetë vetëm një thesar dijesh dhe mësimesh për sesi historia nuk duhet të përsëritet.