Dy ishin çështjet kryesore ku kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Gazment Bardhi, u fokusua në mbledhjen e konferencës së kryetarëve për sesionin e ri parlamentar; mandati i Olta Xhaçkës dhe kërkesa për ngritjen e një komisioni të posaçëm për fondet e IPARD. Bardhi ka folur edhe për disa drafte të propozuara nga PD-se që ende zhvendosen nëpër sirtarët e Kuvendit.
“Kemi ligje si iniciativë e deputeteve të cilat kanë nga tri vite në sirtarë. Shpresoj shumë që të futen me prioritet në kalendar për t’u shqyrtuar. Janë propozime të rëndësishme që vijne nga opozita.
Gjithashtu dua të theksoj problemin e zvarritjes së mandatit të Olta Xhaçkës. Shpresoj shumë dhe ju bëj thirrje të vazhdohet pa humbur kohë që kjo çështje të shkojë në Gjykatë Kushtetuese.
Në Këshillin e Legjislacionit edhe deputetët e PS-së, ranë dakord që mocioni t’i përcillet Gjykatës, dhe shpresoj që në seancën e 12 shtatorit kjo të ndodhë.
Kam edhe një çështje të rëndësishme që lidhet me fondet e IPARD. Para disa muajsh ju kërkuat që debati për këtë çështje dhe ngritja e një komisioni parlamentar për të adresuar problematikat, të ndodhë në shtator.
Shtatori erdhi, kështu që ju kërkoj që këtë çështje ta kemi prioritet edhe si një instrument për të zhbllokuar fondet e BE-së për fermerët. Fonde që mbajnë të bllokuara për shkak të korrupsionit dhe abuzimit qeveritar”, është shprehur Bardhi.
Gjatë mbledhjes ai ka kërkuar që Kuvendi të fusë në rend ditë edhe miratimin e raportit vjetor te KLSH që nuk u përfshi sesionin e kaluar parlamentar.