Bota

Konfirmohen akuzat, Irani e pranon se furnizoi Rusinë me dronë!

Për të parën herë, ministri iranian i Punëve të Jashtme, Hossein Amir-Abdollahian, e pranoi se Republika Islamike i ka dhuruar dronë Rusisë, por u përpoq të theksonte që dërgimi i tyre është bërë para se të niste lufta ruse në Ukrainë, në fund të muajit shkurt. Siç edhe dihet, prej javësh tashmë, trupat ruse i përdorin këta dronë për të sulmuar qytetet ukrainase. Deklaratat e kryediplomatit të Teheranit vijnë pas disa muajve mesazhesh jo të qarta të Iranit lidhur me furnizimin e Rusisë me armë.

Ne i kemi dhënë Rusisë numër të kufizuar të dronëve, para se të niste lufta në Ukrainë.

Ditë më parë, zyrtarët iranianë hodhën poshtë armatosjen e Rusisë për luftën në Ukrainë. Më herët gjatë kësaj jave, ambasadori iranian në Kombet e Bashkuara, Amir Saeid Iravani, i konsideroi “totalisht të pabaza” dyshimet për armët, si dhe riktheksoi pozicionin e Iranit për neutralitet në luftë.

Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët perëndimorë i kërkuan të hetojë nëse Moska ka përdorur dronë iranianë për të sulmuar civilët në Ukrainë.

Ndonëse e pranoi dërgesën e dronëve në Rusi, ministri u shpreh sot se Irani “nuk është në dijeni” mbi përdorimin e dronëve iranianë në luftën në Ukrainë. Sipas tij, “Irani është i përkushtuar për ndalimin e konfliktit”.

Nëse Kievi ka dokumente që dëshmojnë se Rusia ka përdorur dronët iranianë në Ukrainë, atëherë duhet të na informojë. Nëse na dëshmohet se Rusia ka përdorur dronë iranianë në luftën kundër Ukrainës, ne nuk do të qëndrojmë indiferentë rreth çështjes.

Lufta në Ukrainë nisi më 24 shkurt 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi u përgjigj ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë humbur jetën mijëra persona dhe miliona të tjerë u detyruan të zhvendosen nga shtëpitë, pjesa më e madhe në Poloni.