Aktualitet

Konfirmohet varianti Delta i koronavirusit në Shqipëri!

Zyrtare! Në Shqipëri konfirmohet varianti Delta i koronavirusit, i njohur për transmetueshmërinë e lartë dhe që është kthyer në shqetësim në shumë vende të botës.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale:

Nga kampionet e dërguara në Institutin e Virologjisë “Charite” në Berlin të Gjermanisë ku u krye analiza e thellë gjenetike e sekuencimit të gjenomës së virusit në këto kampione, rezultoi varianti Delta B.1.617.2.

Konfirmimi i qarkullimit të Deltës, përkon edhe me rritjen e infektimeve në dy javët e fundit në vendin tonë.

Ministria e Shëndetësisë iu bën thirrje qytetarëve, të vaksinohen!

Vaksinimi shpëton jetë, vaksinat veprojnë, reduktojnë mundësinë e infektimit dhe shmangin në shkallë të lartë hospitalizimet e fatalitetet. Varianti Delta i infeksionit Sars-Cov2 është varianti më i transmetueshëm, ndaj respektimi i masave të distancimit fizik, vendosja e maskave në ambientet e brendshme dhe higjena, janë thelbësore për kufizimin e përhapjes së virusit.

Autoritetet theksojnë rëndësinë e zbatimit me rigorozitet të masave parandaluese:

Vetëkarantinim paraprak në rastet kur keni shenja të koronavirusit apo nëse keni patur kontakte me persona të konfirmuar me këtë virus.

Ftojmë qytetarët të kontaktojnë menjëherë me mjekun e familjes për çdo dyshim dhe të zbatojnë udhezimet e mjekut për protokollin e ndjekjes dhe trajtimit. Për çdo emergjencë shëndetësore, kontaktoni në numrin unik 127 me Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore.

Edhe një herë, Ministria e Shëndetësisë apelon për vaksinim masiv, për të frenuar përhapjen e virusit të rrezikshëm.

Aktualisht në Shqipëri janë kryer 1,134,085 vaksinime, nga të cilat, 496,714 mijë qytetarë janë vaksinuar me të dy dozat e vaksinës anticovid. Edhe sot vijon vaksinimi i hapur për çdo qytetar +18 vjeç në qendrat e vaksinimit kudo në vend, deri në orën 20:00.