Aktualitet

Konflikti për një makinë të djegur e akuzat për dhunë, pezullohet shefi i Krimeve në Komisariatin e Devollit!

Shefi i Krimeve në komisariatin e Devollit vihet nën hetim për “Kryerje të veprimeve arbitrare”. Pas shoqërimit në komisariat të shtetasve Deizi Arapi 27-vjeçe e Marsel Buçi, 34-vjeç, të përfshirë në konflikt për djegien e makinës së këtij të fundit, Buçi pretendon se shefi i krimeve e goditi në zyrë, ndërsa bëri ankesë pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes Policore, AMP që nisi hetimet. Deri në përfundim të tyre, Pashk Syziu fillimisht u pezullua për tre ditë.

Marsel Buçi deklaroi:

Mbrëmë kam dalë nga shtëpia të pija një kafe. Në atë moment kalon Deizi Arapi, kthej kokën dhe më ofendon e më shan. I shkoj pranë dhe i them, moj vajzë mos më shaj se më vjen zor të dal në rrugë. Kam vënë në dijeni shefin e krimeve e më ka thënë që nuk kemi mundësi, nuk kemi ligj që thotë të dënojmë njerëzit për ofendim. Më kanë thirrur në komisariat e më ka dhunuar ku të mundej, me grushta, me shkelma.

Nga zhurmat erdhi një polic, që më ndihmoi se vetë nuk mundesha t’i shmangesha. Në zyrë ka qenë edhe Deizi Arapi, hargalisej e qeshte. Ndihem keq. Më ka dhunuar në pjesën e gjoksit, në kokë, ishte i dehur, vinte era alkool, i thosha mos më godit, të lutem reflekto! Nuk më linte të flisja e të shpjegohesha, më ka goditur.

Më pas ka ardhur avokati im, në atë moment është qetësuar situata, kama shkuar në drejtori dhe e kam kallëzuar shefin e krimeve në Devoll. Nuk di çfarë të them tjetër. Jam në një situatë të vështirë. Ata mund të hetojnë por jo me dhunë. Është e disata herë që shoqërohem në komisariat, unë jam ankuar po nuk më kanë dhënë zgjidhje.

Mua vetëm Deizi më ka kërcënuar, më ka thënë do të të djeg makinën dhe do të të djeg kalamajtë. Unë dua qetësinë time, të fëmijëve, ndihem i kërcënuar, nuk ka drejtësi nuk më ndihmon njeri. Jam në situatë të vështirë.

Ndërkohë,  Pashk Syziu hedh poshtë akuzat. Ai thotë se nuk ka ushtruar dhunë kundrejt askujt e për këtë ngjarje kërkon hetim të plotë nga organet e policisë.