Rajoni

Konjufca: DASH na garantoi, nuk do të ketë Asociacion që cënon sovranitetin e Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se Departamenti amerikan i Shtetit e ka garantuar se nuk “mund të formohet kurrfarë Asociacioni i komunave me shumicë serbe apo ndonjë mekanizëm tjetër që cenon sovranitetin, pavarësinë, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”.

Kështu tha ai pas takimit që pati me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Konjufca shkroi në Facebook se në takim me Escobarin kanë diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend dhe në rajon, për procesin e dialogut dhe marrëveshjen e arritur në Ohër, si dhe hapat e mëtejmë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Më 27 shkurt në Bruksel, Kosova dhe Serbia u pajtuan për Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes shteteve, apo siç njihet ndryshe edhe si propozimi evropian. Më 18 mars, palët u pajtuan në Ohër për aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se pavarësisht që kjo marrëveshje nuk u nënshkrua nga palët, e konsiderojnë atë obligative. Zbatimi i kësaj marrëveshjeje është lidhur me përparimin e të dyja shteteve drejt integrimeve evropiane.

Marrëveshja me 11 nene nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.