Aktualitet

Konsultim për amnistinë fiskale, Rama: I kemi strukurat për zbatimin me efikasitet!

Sot në një konsultim publik mbi projektligjin e Amnistisë Fiskale, pas miratimit të idesë së saj nga publiku në Këshillimin e Parë Kombëtar, kryeministri Rama renditi disa nga arsyet se përse duhet të bëhet tani kjo amnisti.

I kujtoj të gjithëve, veçanërisht partnerëve tanë ndërkombëtarë që bota është në luftë dhe Shqipëria është pjesë e kësaj lufte. Ndryshe nga shumë vende të tjera, Shqipëria ka marrë një vendim me një kosto shumë të lartë, një kosto e cila nëse lufta zgjat përtej një limiti të caktuar, mund të bëhet tërësisht e papërballueshme. Ky vendim është që fatura e energjisë, që sot në tregun ndërkombëtar po i afrohet 500 eurove për megavat nga 50-60 euro që ishte para kësaj krize, të mos reflektohet në faturën e energjisë së familjeve dhe të biznesit të vogël. Nga dalin këto para? Ndërkohë që ne jemi shumë të vetëdijshëm që paketa jonë e parë e mbështetjes për ata më të prekurit nga inflacioni nuk ka zgjidhur të gjithë hallin, një hall që vazhdon ndërkohë që paketa ka përfunduar.

Rama vuri në dukje se “ideja e amnistisë është shumë e vjetër, jo e re dhe asnjëherë nuk është materializuar si duhet”, sipas tij “nga një presion i caktuar i brendshëm dhe i jashtëm, që besoj ka pasur arsye që sot nuk ekzistojnë më”.

Në atë kohë kur janë provuar të bëhen amnistitë e tjera, Shqipëria nuk ka qenë e strukturuar si sot. Sot, Shqipëria ka një sërë strukturash që me efikasitet mund të garantojnë zbatimin e amnistisë fiskale. Amnistinë e kemi menduar që ditën e parë që kemi ardhur në qeveri 9 vjet të shkuara, por nuk e kemi propozuar se ishim të vetëdijshëm se ishte një ide që nuk i kishte ardhur koha, ashtu si edhe për ligjin për kanabisin mjekësor.

Ne kemi bërë një punë 3-vjeçare dhe prandaj e shtymë këtë proces dhe pse do ta kishim pasur shumë më të lehtë të merrnim votat në Parlament atë kohë, sepse e para, gjithë ngrehina ligjore kundër pastrimit të parave nuk ishte akoma e ngritur. Sot e kemi të ngritur të gjithën. E dyta, strukturat e reja të drejtësisë nuk ishin akoma të ngritura, sot janë të ngritura. Procesi i fiskalizimit nuk ishte akoma i ngritur, sot është.

Për projektligjin ka patur rezerva edhe opozita, krahas ndërkombëtarëve.