Rajoni

Kontrabandë cigaresh, pranga kreut të Doganës të Malit të Zi/Jo zyrtarisht thuhet se u lirua!

Një urdhër i Zyrës së Prokurorit të Posaçëm të Shtetit e Agjencisë për Sigurinë Kombëtare, çoi në arrestimin e drejtorit të Administratës së të Ardhurave dhe Doganës në Mal të Zi, edhe pse jo zyrtarisht thuhet se u lirua pas 6 orësh. Dyshohet se Rade Millosheviç ka marrë pjesë në organizimin e zinxhirit që mundësoi kontrabandën e një pjese të cigareve, që këtë verë u konfiskuan në Zonën e Lirë Doganore në Portin e Tivarit.

Sipas të dhënave të autoriteteve britanike, mbi 2 miliardë tonë cigare kontrabandohen çdo vit, përmes këtij porti. Këtë verë, autoritetet kryen tre aksione konfiskimi. Operacioni i parë daton mesin e muajit maj dhe sipas kryeministrit Dritan Abazoviç, cigaret kapnin vlerën e miliona eurove. Dy aksionet e tjera u zhvilluan në datat 12 e 14 qershor. Po ashtu u bllokuan sasi të konsiderueshme, në rreth 4.7 milion euro.

Përveç Millosheviçit, të tjerë persona u arrestuan në Nikshiq e Podgoricë në operacionin e Departamentit të Policisë Speciale. Dyshohet se të arrestuarit morën pjesë në kontrabandën e duhanit të konfiskuar. Zyra e Prokurorisë së Posaçme beson se sasia përfundoi në zinxhirin e kontrabandës një pjesë e paketave të cigareve që nuk u dogj në furrat e dy fabrikave në Mal të Zi.

Dy ditë më parë, kryeministri Abazoviç dhe Millosheviç ndoqën nga afër procesin e djegies së cigareve kontrabandë dhe për shefin e qeverisë, “aksioni i Administratës së të Ardhurave dhe Doganës, paraqet një goditje të madhe për grupet kriminale të përfshira në kontrabandën e cigareve”.

Ky nuk ishte aksioni i vetëm për shkatërrimin e tyre. Në mesin e këtij viti, e njëjta administratë organizoi djegien e cigareve në fabrikën e Javorakut. Ndërkohë, një orë para se të njoftohej arrestimi i Rade Millosheviçit, kryeministri Abazoviç dhe ministri i Brendshëm, Filip Anzhiç, mirëpritën aksionin e Zyrës së Prokurorisë së Posaçme në parandalimin e kontrabandës së cigareve. Millosheviç është zyrtar i lartë i Lëvizjes Qytetare URA të Dritan Abazoviçit, kryeministrit teknik të Malit të Zi.