Aktualitet

Kontroll blic në burgun Fier/Sekuestrohen drogë e mjete komunikimi!

Një kontroll blic në burgun e Fierit çoi në zbulimin e një sasie lënde narkotike të ndarë në 22 doza, si dhe disa pajisjeve që ishin shndërruar në mjete komunikimi me botën jashtë. Autoritetet u vunë në lëvizje pas informacioneve të marra e bëhet e ditur se disa prej dozave ishin fshehur në neonin e tavanit të palestrës. Po ashtu, u gjetën një sharrë e improvizuar e një televizor me fijet jashtë për lidhje me kufje.

Në njoftimin zyrtar thuhet:

Drejtoria e Burgjeve kontroll në IEVP Fier, gjendet lëndë e dyshuar si narkotike. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve organizoi dje rreth orës 22.50 një operacion në IEVP Fier pas informacioneve të marra në rrugë operative se brenda institucionit mund të kishte depërtuar lëndë narkotike. Aksioni është drejtuar nga Drejtori i Policisë së Burgjeve në krye të dy grupeve të forcave operacionale. Pas kontrollit të disa dhomave banimi dhe ambienteve të përbashkëta u gjetën nëntë doza të dyshuara si lëndë narkotike. 13 doza të tjera u gjetën fshehur në neonin e tavanit në palestër. Gjatë kontrollit, u gjet edhe një sharrë e improvizuar me kokën e një makine qethëse si dhe një televizor “Obot” me fijet jashtë për lidhje me kufje, dyshuar si mjet komunikimi. Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme SHKKB.

Më 9 shkurt, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve vendosi transferimin në burgun e Fierit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili më 4 shkurt u dënua me 3.4 vite burg “Për shpërdorim detyre” nga Apeli i Posaçëm i GJKKO-së.