Aktualitet

Kontrolle masive për kanabis në Berat, policët dalin ‘duarbosh’!

103 efektivë u angazhuan për të goditur kultivimin e lëndëve narkotike në Berat, por nuk gjetën asnjë gram kanabis. Gjatë paradites së sotme, efektivët, me mbështetje të FNSH Fier ushtruan kontroll masiv në të gjithë territorin e Beratit.

Ata u ndanë në 20 grupe dhe qëllimi ishte goditja e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike. Ata kontrolluan në ambiente të hapura, sera, tunele, banesa të braktisura e magazina të ndryshme që shpesh herë përshtaten për të kultivuar lëndë narkotike, por dolën duarbosh.

Ndërkohë kontrolli i territorit do të vijojë edhe në ditët e ardhshme në të gjithë qarkun Berat në përmbushje të prioritetit kryesor, parandalimit të kultivimit të bimëve narkotike.

Kujtojmë se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano ka theksuar se policia është e vendosur që me tolerancë zero, kundër fenomenit apo problematikës së kultivimit të kanabisit dhe do të vazhdojë, për të identifikuar çdo vend të përgatitur për kultivimin e kanabisit.