Bota

Korea e Veriut i kundërpërgjigjet Uashingtonit mbi vjedhjen e kriptomonedhave

Korea e Veriut dënoi të shtunën komentet e një zyrtari të lartë të Shtëpisë së Bardhë në lidhje me aftësitë e Phenianit për sulme kibernetike dhe tha se do të vazhdojë t’i bëjë rezistencë atij që e quajti “agresion” i Shteteve të Bashkuara.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme tha se etiketimi i Koresë së Veriut si një “grup kriminelësh” zbuloi natyrën e vërtetë të politikës armiqësore të Uashingtonit ndaj Koresë së Veriut.

Anne Neuberger, zëvendës këshilltarja e sigurisë kombëtare për kibernetikën dhe teknologjinë në zhvillim, njoftohet të ketë thënë të mërkurën se koreano-veriorët ishin një sindikatë kriminale që kërkonin të ardhura “nën maskën e një vendi”.

Korea e Veriut besohet se ka mijëra hakerë të stërvitur që po vjedhin kriptomonedha dhe kjo është bërë një burim kryesor financimi për vendin e goditur nga sanksionet. Këto burime përdoren edhe për financimin e programeve të armëve,

“Në fund të fundit, administrata amerikane ka zbuluar natyrën e vërtetë të politikës së saj më të ndyrë armiqësore, dikur e mbuluar nën vellon e “dialogut pa kushte” dhe “angazhimit diplomatik”, tha agjencia shtetërore e lajmeve KCNA, duke cituar zëdhënësin e Ministrisë së Jashtme.