Bota

Koreja e Jugut dhe SHBA-të i kundërpërgjigjen me raketa Koresë së Veriut!

Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës lëshuan sot tetë raketa, si kundërpërgjigje ndaj atyre balistike që Koreja e Veriut hodhi një ditë më parë, duke përshkallëzuar testet raketore. Presidenti i Koresë Jugore, Yoon Suk-yeol, deklaroi se “Seuli do të përgjigjet ashpër ndaj çdo provokimi që vjen nga fqinji verior”.

Ne do të sigurohemi që të mos ketë asnjë mangësi në mbrojtjen e jetëve dhe pronave të popullit tonë.

Programet bërthamore e të raketave të Koresë komuniste, janë duke prekur nivele që kërcënojnë jo vetëm paqen në Gadishullin Korean, por edhe në Azinë Verilindore e gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe Koreja Jugore kryejnë vazhdimisht stërvitje të përbashkëta ushtarake, që  zemërojnë Kim Jong Un-in, liderin e Koresë së Veriut. Rezolutat e OKB-së e ndalojnë të testojë raketa balistike, që mund të mbajnë një kokë bërthamore.

I djeshmi është testi i 18-të prej fillimit të vitit, duke përfshirë një në fund të majit, vetëm një ditë pas përfundimit të vizitës së presidentit amerikan, Joe Biden në Azi. Shefi i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se duhet të punojnë së bashku, për të përballuar sfidat e sigurisë rajonale, duke përfshirë kërcënimin nga Koreja e Veriut. Kjo për të forcuar më tej masat frenuese dhe për t’u angazhuar drejt një çarmatimi të plotë bërthamor të Gadishullit Korean.

Analistët janë të mendimit se “ritmi i shpejtë i testimeve të armëve nga Koreja e Veriut tregon se ky shtet ka shënuar përparim në programet e raketave dhe po bën presion ndaj Uashingtonit, për shkak të bllokimit të negociatave”. Sipas tyre, Kim Jong-Un dëshiron që të përdorë arsenalin e tij bërthamor për të fituar njohjen ndërkombëtare të Koresë së Veriut si shtet bërthamor, pasi beson se një gjë e tillë mund të shtyjë Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të lehtësojnë sanksionet ekonomike ndaj Phenianit.