Bota

Koreja e Veriut nuk ndalet, teston edhe dy raketa balistike!

Koreja e Veriut lëshon edhe dy raketa balistike, duke çuar në shtatë numrin e atyre që vendi komunist ka testuar në dy javët e fundit. Raketat ranë në Detin e Japonisë, siç bëjnë të ditur burime të ushtrisë së Koresë së Jugut. Shtabi i Përgjithshëm i konsideron “provokime serioze” këto testime. Ndërkohë, Garda Bregdetare e Japonisë konfirmon se të dy raketat ranë jashtë Zonës Ekonomike të vendit aziatik dhe se mund të jenë nisur nga një nëndetëse.

Lajmi për testimet raketore të radhës erdhi disa orë pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Koreja e Jugut kryen stërvitje të përbashkëta ushtarake, në të cilat u përfshi edhe një aeroplanmbajtës me energji bërthamore. Testimet e fundit raketore, zyrtarë të regjimit të Phenianit i justifikojnë duke përmendur masat për vetëmbrojtje kundër Amerikës. Shteti i udhëhequr nga Kim Jong-Un deklaron se “testimet raketore nuk përbëjnë kërcënim për vendet fqinje”.

Të martën e kësaj jave, Koreja e Veriut lëshoi një raketë balistike mbi Japoni, për të parën herë në pesë vjet. Uashingtoni e Tokio reaguan duke e dënuar ashpër këtë veprim. Të tilla testime kanë kontribuar në rritjen e tensioneve mes Koresë së Veriut dhe Japonisë. Këto tensione i kanë rrënjët në kolonizimin e Koresë nga viti 1910 deri më 1945-ën, si dhe rrëmbimin e qytetarëve japonezë nga koreano-veriorë, në të kaluarën.

Pak kohë më parë, Koreja e Veriut miratoi ligjin për t’u vetëshpallur “shtet me armë bërthamore”. Udhëheqësi Kim Jong-un ka hedhur poshtë mundësinë e bisedimeve për çarmatosje. Pheniani ka kryer gjashtë testime bërthamore në periudhën e viteve 2006-2017, pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare.