Bota

Koreja e Veriut teston raketën e radhës, rriten tensionet!

Dyshohet se Koreja e Veriut testoi sot një raketë balistike të projektuar për t’u lëshuar nga një nëndetëse. Njoftimin e dha ushtria e Koresë së Jugut. Shefat e Shtabit thanë se për testin më të fundit u zgjodhën brigjet pranë qytetit port Sinpo, ku vendi komunist ka një kantier detar të madh, në të cilin ndërtohen nëndetëse, por për momentin nuk saktësohet distanca e përshkuar në fluturimin e raketës.

Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse lëshimi i saj nga koreano-veriorët ka përfshirë një nëndetëse apo thjesht një platformë testimi nënujore.
Jo vetëm Koreja e Jugut, edhe Ministria e Mbrojtjes e Japonisë konfirmoi gjithashtu nisjen e raketës, por nuk i publikoi menjëherë detajet. Në këto kushte, kryeministri japonez Fumio Kishida urdhëroi zyrtarët të përgatiten për të gjitha “situatat e paparashikueshme” dhe kërkoi të shtojnë sigurinë e avionëve e të anijeve.

Siç raportohet, fluturimi i kësaj rakete balistike ishte demonstrimi i parë nga Koreja e Veriut i një sistemi balistik, të nisur nga nëndetëset apo platformat nënujore, që nga tetori i vitit të kaluar. Në këtë kohë, Koreja komuniste testoi një raketë të re me rreze të shkurtër veprimi nga Yongung, nëndetësja e saj e vetme, e aftë për lëshimin e një rakete të tillë.

Tre ditë më parë, Koreja e Veriut lëshoi një raketë balistike drejt ujërave lindorë, siç bënë të ditur zyrtarët e Koresë së Jugut e të Japonisë. Ky njoftim erdhi disa ditë pasi lideri komunist, Kim Jong Un, u zotua se do të forconte arsenalin bërthamor “në ritmin më të shpejtë të mundshëm”, ndërsa kërcënoi se mund të përdorë armë bërthamore kundër rivalëve.

Për Korenë e Veriut, ky është raundi i 14-të i lëshimeve të raketave gjatë këtij viti. Analistët janë të mendimit se “ritmi i shpejt i testimeve të armëve nga Koreja e Veriut tregon se ky shtet ka shënuar përparim në programet e raketave dhe po bën presion ndaj Uashingtonit, për shkak të bllokimit të negociatave”.

Sipas tyre, Kim Jong-Un dëshiron që të përdorë arsenalin e tij bërthamor për të fituar njohjen ndërkombëtare të Koresë së Veriut si shtet bërthamor, pasi beson se një gjë e tillë mund të shtyjë Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të lehtësojnë sanksionet ekonomike ndaj Phenianit.