Bota

Koreja e Veriut vijon me kërcënimet e forta, hedh raketën balistike të radhës!

Koreja e Veriut nuk ndalet dhe zgjedh që sërish të tregojë muskujt. Vendi komunist lëshoi një raketë balistike drejt ujërave lindorë, siç bëjnë të ditur zyrtarët e Koresë së Jugut e të Japonisë. Ky njoftim vjen disa ditë pasi lideri komunist, Kim Jong Un, u zotua se do të forcojë arsenalin bërthamor “në ritmin më të shpejtë të mundshëm”, ndërsa kërcënoi se mund të përdorë armë bërthamore kundër rivalëve.
Për Korenë e Veriut, ky është raundi i 14-të i lëshimeve të raketave gjatë këtij viti dhe po ashtu vjen gjashtë ditë para se presidenti i ri i Koresë së Jugut të marrë mandatin pesëvjeçar.

Në një deklaratë për media, ushtria koreane-jugore tha se “raketa u lëshua nga rajoni i kryeqytetit Phenian dhe fluturoi për në ujërat e bregdetit lindor.

Ushtria e Koresë së Jugut po monitoron për armë të reja që Koreja e Veriut mund të testojë.

Ndërkaq, Ministria e Mbrojtjes së Japonisë deklaroi gjithashtu se “Me gjasa, Koreja e Veriut ka lëshuar një raketë balistike”, por nuk dha më shumë detaje. Rojet bregdetare japoneze u bënë thirrje anijeve që lundrojnë jashtë brigjeve japoneze, të kenë kujdes.

Analistët janë të mendimit se “ritmi i shpejt i testimeve të armëve nga Koreja e Veriut tregon se ky shtet ka bërë përparim në programet e raketave dhe po bën presion ndaj Uashingtonit, për shkak të bllokimit të negociatave”. Sipas tyre, Kim Jong-Un dëshiron që të përdorë arsenalin e tij bërthamor për të fituar njohjen ndërkombëtare të Koresë së Veriut si shtet bërthamor, pasi ai beson se një gjë e tillë mund të shtyjë Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të lehtësojnë sanksionet ekonomike që kanë vendosur ndaj Phenianit.

Këtë vit, Koreja e Veriut ka testuar një raketë balistike ndërkontinentale, që mund të ketë aftësi të shkojë në tokën amerikane. Javën e kaluar, Kim Jong Un, prezantoi raketat më të fuqishme bërthamore gjatë një parade ushtarake të zhvilluar në Phenian. Gjatë fjalimit në këtë paradë, tha se do ta zhvillonte arsenalin bërthamor “në ritmin më të shpejtë të mundshëm”, duke kërcënuar se Koreja e Veriut mund të përdorë armë bërthamore nëse kërcënohen interesat e saj kombëtare.