Rajoni

Koronavirusi, Kosova drejt mbylljes

5 viktima dhe 596 raste të reja me koronavirus u konfirmuan sot në Kosovë. Komuna e Prishtinës ka numrin më të madh të të identifikuarëve pozitive, rreth 300. Përballë shifrave në rritje, Qeveria po diskuton masat e propozuara nga Ministria e Shëndetësisë për parandalimin e infeksionit.

Propozimet kanë të bëjnë me ndarjen e vendit në tre zona sipas numrit të rasteve. E kuqja nënkupton rrezikshmëri të lartë, e verdha atë mesatare dhe e gjelbëra, rrezik më të ulët. Nëse miratohen, këto masa do të qëndrojnë në fuqi për një javë në Kosovë.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka paralajmëruar se Kosova po shkon sërish drejt mbylljes totale, për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike. Kreu i ekzekutivit tha se pritet që masat e reja të hyjnë në fuqi brenda dy ditësh. Ai tha se i kupton shqetësimet e bizneseve, por primar është “ruajtja e shëndetit publik”.