Aktualitet

Koronavirusi, mjeku Stroni: “Imuniteti i tufës në Tiranë 60-65%!”

Tirana ka arritur imunitetin e tufës në nivelin nga 60 në 65%. Kjo u bë e ditur sot nga infeksionisti, Gent Stroni i ftuar në emisionin “Wake Up” në Top Albania Radio e Top Channel. Sipas mjekut të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, pritet një rritje e rasteve me COVID, por nënvizoi se nuk do të jetë në shifrat e regjistruara.

60-65% imuniteti i tufës në Tiranë. Unë them që do ketë një luhatje, por jo më siç kemi kaluar, rritje e moderuar. Besoj se vera do jetë e lehtë dhe besoj deri vitin tjetër në këtë kohë do e kemi kaluar. Shtatori mund të ketë një lloj rritje, për shkak të rritjes së turistëve. Dimri do ketë një rritje të moderuar përsëri dhe besoj se viti tjetër do na gjejë të lehtësuar.

Stroni tha se edhe simptomat e COVID-it kanë ndryshuar.

Të dhënat që raporton Italia nëpërmjet Zyrës për Statistikat Kombëtare dhe Ministrisë së Shëndetësisë, tregojnë se simptomat tek  rastet e infektuara, tashmë janë: dobësi dhe një ndjenjë e përgjithshme e gjendjes së keqe, dhimbje të muskujve e barkut, si dhe të përziera, dhimbje koke dhe probleme gastrointestinale. Edhe një studim në Britaninë e Madhe, ku u ekzaminuan rreth 19 mijë pacientë, dëshmoi se të infektuarit kishin më pak ose aspak kollë, humbje të shijes e nuhatjes, simptoma këto karakteristike në momentin që u zyrtarizua përhapja e koronavirusit. Tani mjekët po hasin më shumë pacientë që kanë të vjella e diarre.

Mjeku Stroni tha se aktualisht në vend po qarkullojnë viroza të stinës dhe apeloi që të mos ngatërrohen me COVID-19/ën.

Eshtë një virozë tjetër. Shikohet një virozë që ndoshta mund të jetë ajo e famshmja stinore që njerëzit tashmë janë me hundë të bllokuara, me një rrjedhje hundësh, por që nuk ka të bëjë me koronavirusin. Në një njëjtën kohë ne shohim edhe situatën e personave që kanë virozë të traktit gastrointestinal, por jo domosdoshmërisht është COVID.