Bota

Koronavirusi shënjestron Evropën, dhjetëra mijëra raste infeksioni në ditë

Evropa e mbërthyer nga pandemia e koronavirusit. Në Gjermani po rriten tej mase infektimet, ndërkohë që u konfirmua i prekur edhe ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn. Ndërkaq, Çekia, Belgjika dhe Holanda janë kthyer në vatra të rrezikshme të pandemisë. Ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë thonë se në kontinentin evropian, dimri mund të jetë më i rrezikshëm për të prekurit me Covid-19 se pranvera.

Franca

Ndërkaq Franca shënoi një rekord të ri të numrit të infektimeve, me raportimin e 41 mijë rasteve në 24 orë. Tashmë vendi e ka kaluar shifrën e përgjithshme të mbi 1 milionë të identifikuarëve pozitivë me sars-cov2. Qeveria ka vendosur ndalimqarkullimin nga ora 21:00-06:00 të mëngjesit në Paris dhe disa qytete të tjera. Nga kufizimet janë prekur më shumë se dy e treta e francezëve, rreth 46 milionë vetë në total.

Holanda

Me një përqindje infeksionesh me 596 persona për 100.000 banorë në 14 ditët e fundit, Holanda renditet pas Çekisë me 1066 raste për 100.000 banorë dhe Belgjikës, 932 raste për 100.000 banorë. Për shkak të rritjes kaq të madhe të infektimeve, qeveria holandeze ka vendosur një lockdown të pjesshëm më 14 tetor. Lokalet, kafenetë dhe restorantet janë mbyllur, nga ora 20:00 nuk lejohet më të ofrohet alkool, kurse në shtëpi nuk lejohet të ftohen më shumë se 3 vetë. Metrotë dhe autobusët përdoren vetëm në raste emergjence. Më 27 tetor vendoset për masa të tjera.

Suedia

Qeveria e këtij vendi ka vendosur për qytetin e katërt më të madh, Uppsala kufizime të forta. Deri më 3 nëntor banorët as nuk lejohet të organizojnë festa dhe dhe as të marrin pjesë në to. Kontaktet me njerëz të tjerë duhet të mënjanohen dhe transporti publik të mos përdoret. Epidemiologu suedez, Anders Tegnell u shpreh se nuk e përjashton që kufizimet të vendosen në pjesë të tjera të vendit. Aktualisht numri i infektimeve të reja ditore është rritur mbi 5000.

Portugalia

Edhe ky vend shënon rritje të mëdha të infektimeve të reja. Në fillim të muajit më 5 tetor u regjistruan 734 raste, në 22 tetor 3270. Që nga 14 tetori vendi ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, kurse më 23 tetor ka pasur kufizime të reja në rajonet veriore të vendit. Në këtë vend u vendos 2 nëntori si ditë përkujtimore për 2000 viktimat e Coronës. Gjurmimi digjital do të zgjerohet, kurse aplikacioni „Stay away Covid” do të bëhet i detyrueshëm për të gjithë.

Belgjikë

Në tetor u rrit tej mase numri i infektimeve në Belgjikë. Ky vend me treguesin 14 ditor të infektimeve prej 932 rastesh në 100.000 banorë konsiderohet si një nga rajonet më të prekura në Europë. Ministri belg i Shëndetësisë, Frank Vandenbroucke e sheh vendin „pak para një cunami”. Pandemia ka kushtuar deri më tani rreth 10.000 jetë njerëzish në Belgjikë. Numri ditor i infektimeve nga 1-22 tetor u rrit nga 1300 në 13.200 raste.

Çeki

Edhe më e tensionuar është gjendja në Çeki. Që nga 5 tetori në këtë vend është shpallur gjendja e jashtëzakonshme në vendin me 10,7 milionë banorë. Sipas të dhënave të ECDC numri i infektimeve është rritur 1066 raste për 100.000 banorë, vlera më e lartë në të gjithë Europën brenda 14 ditësh. Nga e enjtja janë hapur vetëm supermarketet dhe farmacitë. Qeveria ka urdhëruar që qytetarët të kufizojnë maksimalisht kontaktet./DW