Rajoni

Kosova aplikoi për anëtarësim në BE, Vuçiç: Serbia i përgjigjet sonte!

Presidenti serb, Aleksander Vuçiç, tha se “aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Europian, shkel Marrëveshjen e Uashingtonit”. Komentet pasuan ceremoninë në Pragë të Çekisë, ku dorëzimi i dokumentit u bë nga kryeministri Albin Kurti.

Ne do t’i përgjigjemi sonte, pas mbledhjes së qeverisë. Po ashtu do të marrim përgjigje sa i përket kërkesës sonë lidhur me Rezolutën 1244, por edhe për tërheqjen e njohjes së Kosovës nga shumë shtete.

Vuçiç foli për gazetarët, gjatë një vizite në kufirin mes Serbisë e Hungarisë. Marrëveshja e Uashingtonit, të cilës iu referua Vuçiç, veç të tjerash përfshinte një moratorium njëvjeçar për Kosovën e Serbinë. Kosova zotohej se për një vit nuk do të aplikonte për anëtarësim në institucione e organizata ndërkombëtare, ndërsa Serbia, të ndalte fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Presidenti serb shtoi se “aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE shkel nenin 49 të Traktatit të Unionit”.

Kushti për të qenë në gjendje për të aplikuar për anëtarësim në BE është që të jesh shtet europian. Nuk e di se çfarë kriteri përdoret për të përcaktuar se çfarë nënkuptojmë me shtet, a i referohet një shteti të BE-së apo të gjitha shteteve të BE-së, apo anëtarësimit në Kombet e Bashkuara?

Ndërkaq, zyrtarët në Serbi kanë paralajmëruar se sot do t’i drejtohen KFOR-it me kërkesën për dislokimin e trupave ushtarake e policore në Kosovë. Beogradi ka argumentuar se dërgimi i trupave në Kosovë i lejohet në bazë të Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara. Por, Prishtina kundërshton kategorikisht, duke nënvizuar se “ushtarët dhe policët serbë nuk mund të dislokohen”.

Sot në Kuvend, presidentja Vjosa Osmani deklaroi:

Serbia dhe udhëheqësi i saj Vuçiq e dinë fare mirë se prezenca e ushtrisë serbe në territorin e Kosovës mori fund një herë e përgjithmonë më 12 qershor 1999!

Po ashtu, Shtetet e Bashkuara kanë kundërshtuar fuqishëm idenë e dislokimit të trupave serbe në Kosovë. Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur, pasi ditët e fundit, në veriun e Kosovës janë regjistruar disa sulme me armë zjarri, granata dore dhe bomba.