Rajoni

Kosova dhe Izraeli zyrtarizojnë vendosjen e marrëdhënieve diplomatike

Në një ceremoni virtuale, Kosova dhe Izraeli zyrtarizuan sot vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në nivel ambasadorësh. Kryediplomatët Meliza Haradinaj-Stublla e Gabriel Ashkenazi nënshkruan dokumentin ku thuhet se “të dy shtetet vendosin raporte diplomatike, që të rrisin bashkëpunimin në fushat politike, ekonomike, tregtare, teknike, kulturore dhe në të tjera sfera të interesit të përbashkët”. Ky dokument u firmos në shqip, anglisht, hebraisht e në serbisht.

Ndërkaq, aspektet teknike të këtij vendimi, përfshirë akreditimin i ambasadorëve respektivë do të jenë objekt i diskutimeve të mëtejshme diplomatike. Prishtina do të përfaqësohet me Ines Demirin. Në këtë ceremoni mori pjesë dhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin, Metju Palmer.

Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani përshëndeti vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin. “Marrëdhëniet ndërmjet dy popujve tanë kanë qenë historikisht të fuqishme e të bazuara në solidaritet dhe miqësi. Akti i lidhjes së raporteve diplomatike hap rrugën për thellimin e bashkëpunimit dypalësh ndërinstitucional, si dhe në fusha të tjera të interesit të përbashkët”, – theksoi Osmani përmes një deklarate për media.