Në Nju Jork, Kosova dhe Serbia shkëmbyen akuza në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, tha se shteti i Kosovës nuk doli nga “lëvizjet separatiste, por nga genocidi”. Ndërkaq, homologu i saj serb, Nikolla Selakoviç, akuzoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për krime kundër serbëve, përfshirë trafikim organesh.
Gërvalla tha se “është krenare me UÇK-në, me burrat dhe gratë që mbrojtën njerëzit e shtëpitë e tyre”. Më tej vuri në dukje se “presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka shërbyer si ministër i “Kasapit të Ballkanit”, Sllobodan Millosheviç.
Selakoviç u kundërpërgjigj:
Kasapët e vërtetë të Ballkanit gjenden në Hagë të dyshuar për krime lufte.
Shefi i diplomacisë së Beogradit përmendi ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin, Kadri Veseli, të cilët gjenden në paraburgim pranë Dhomave të Specializuara, të dyshuar për krime lufte dhe kundër njerëzimit.
Kryediplomatja Gërvalla deklaroi se “Serbia dhe Rusia janë kërcënimet më të mëdha të stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.
Kosova është pjesë e Perëndimit, ndërsa Serbia vazhdon të jetë satelit i Rusisë. Kjo është arsyeja se përse rajoni i Ballkanit Perëndimor vazhdon të jetë i paqëndrueshëm. Me armatosjen e vazhdueshme të Serbisë, të gjitha vendet e rajonit janë të kërcënuara pasi ky shtet ka një ushtri të gatshme të sulmojë.
Gjatë fjalimit, Gërvalla foli edhe për sulmet e fundit ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në afërsi të pikëkalimeve kufitare me Serbinë, duke i cilësuar “terroriste”. Ministrja fajësoi Beogradin se po i lejon të ndodhin.
Sulmet po vijnë nga territori i Serbisë dhe ato do të ishin të pamundura nëse Vuçiç nuk do t’i toleronte.
Javën e kaluar, autoritetet në Kosovë raportuan për pesë sulme ndaj Policisë, në veriun me shumicë serbe. Më 15 prill, policët kosovarë u sulmuan me armë zjarri e granata. Prishtina akuzoi Beogradin se “synon të destabilizojë Kosovën”.
Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, këto sulme u dënuan nga UNMIK-u. Nga ana tjetër, Kosova, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipëria bënë thirrje që të përfundojë mandati i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK-ut, duke vlerësuar se “ky mandat nuk është i nevojshëm”. Kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla theksoi se “Kosova ka institucionet e saj, ndaj UNMIK-u nuk mund të vazhdojë të jetë një mision administrativ”.