Rajoni

Kosova e ratifikoi marrëveshjen për lëvizjen e lirë me Bosnjen!

Në Kuvendin e Kosovës u miratua Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë me Letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor. I njëjti akord pritet të votohet gjatë kësaj dite edhe në Këshillin e Ministrave të Bosnje Hercegovinës. Pas hyrjes në fuqi, akordi do të mundësojë lëvizjen pa viza të qytetarëve nga të dy vendet ballkanike.

Marrëveshja për lëvizjen e lirë është njëra prej tre të tillave, për të cilat u arrit dakordësi nëntorin e kaluar në Berlin. Më 3 nëntor 2022, liderët nga Shqipëria, Kosova, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia nënshkruan tre marrëveshje për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, diplomave universitare e të kualifikimeve profesionale në kuadër të samitit të Procesit të Berlinit, mikpritës i të cilit ishte kancelari gjerman, Olaf Scholz.

Marrëveshjet e nënshkruara nga liderët e të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor pas gati dy vjet negociatash, fillimisht duhet të ratifikohen, para se të hyjnë në fuqi.

Për njohjen e kualifikimeve profesionale përfitojnë mjekë, dentistë e arkitektë. Regjimi i vizave ka penguar udhëtimet e qytetarëve që jetojnë në Kosovë, por që kanë origjinë nga Bosnja. Në mënyrë të vazhdueshme, mediat sjellin në vëmendje rrëfimet e disa qytetarëve, të cilët thonë se po presin që të ndodhë heqja e vizave, pasi për ta kjo do të nënkuptonte të ashtuquajturin “fund i agonisë”.

Bosnjë-Hercegovina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe qytetarët e të dyja shteteve duhet të pajisen me vizë nëse duan të udhëtojnë në vendet përkatëse. Në vitin 2014, Kosova vendosi masën reciproke sa i përket regjimit të vizave për shtetasit e Bosnjë-Hercegovinës.