Rajoni

Kosova në krye të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë!

Pas dy ditësh, më 10 shtator, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka thirrur një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, me temë kryesore gjendjen në Kosovë dhe sfidat e sigurisë. Gjithashtu, pritet të diskutohet për sigurinë energjetike e përgatitjet për dimrin. Këshilli do të mblidhet menjëherë pas vizitave të të dërguarit të posaçëm për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak dhe të këshilltarëve të Gjermanisë e Francës për dialogun, Jenns Plettner dhe Emmanuel Beaune.

Pritet që nesër, të tre diplomatët të shkojnë në Kosovë dhe Serbi. Të dielën e kaluar, presidenti francez, Emmanuel Macron e kancelari gjerman, Olaf Scholz, u bënë thirrje udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë, Albin Kurti e Aleksander Vuçiç, të tregojnë vendosmëri e gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira, të cilat do të çonin drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Që nga viti 2011, Kosova dhe Serbia janë duke zhvilluar negociata për normalizimin e marrëdhënieve. Deri më tani janë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk zbatohen në terren. Shpesh herë, palët akuzojnë njëra-tjetrën për bllokim të dialogut.

Tensionet e fundit mes tyre u rritën më 31 korrik, në prag të fillimit të zbatimit të dy vendimeve të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masave reciproke ndaj Serbisë lidhur me dokumentet personale e riregjistrimin e automjeteve nga targat serbe në RKS (Republika e Kosovës).

Për të shmangur përshkallëzimin e gjendjes, pasi disa serbë në veri të Kosovës ngritën barrikada, Kosova shtyu zbatimin e këtyre vendimeve me 30 ditë. Ndërkohë, dy vendet arritën marrëveshje për dokumentet, për heqjen e letrave të hyrje-daljeve për të gjithë qytetarët, nga të dyja anët.

Në fillim të këtij muaji, më 1 shtator, Kosova nisi zbatimin e vendimit për riregjistrimin e makinave, proces që parashikohet të zgjasë dy muaj. Serbia pret negociata edhe për këtë çështje, duke propozuar targa neutrale ndaj statusit të Kosovës, gjë të cilën Prishtina zyrtare nuk e pranon.