Rajoni

Kosova në zi, të lënduarit më lehtë lënë sot spitalet!

Në Kosovë është ditë zie kombëtare, në nderim të 10 viktimave të aksidentit të djeshëm në Kroaci ku një autobus që udhëtonte nga Frankfurti në Prishtinë doli nga rruga dhe u përmbys. Sot lënë spitalet kroate mbi 20 nga kosovarët e plagosur në Sllavonski Brod.

8 prej viktimave u identifikuan. Ndërkaq, dy vetë ende janë në rrezik për jetën e gjenden në terapi intensive. Në Kroaci vijojnë të qëndrojnë ministrat e Brendshëm e të Shëndetësisë të Kosovës: Xhelal Sveçla e Arben Vitia. Dje ishte edhe kryeministri Albin Kurti.

Ministri Xhelal Sveçla deklaroi se me autoritetet kroate po organizojnë transportin e të plagosurve, duke kthyer në Kosovë e në Gjermani, ata që nuk kanë lëndime serioze.

I pyetur nëse shoferi i arrestuar do të ekstradohet në Kosovë, Sveçla u shpreh se presin të gjejnë zgjidhje.

52-vjeçari pranoi se ishte i përgjumur në timon. Ai është shtetas i Kosovës por në Kroaci rrezikon deri në 15 vjet burg nëse shpallet fajtor si shkaktar aksidenti. Në autobusin e rrëzuar udhëtonin 67 pasagjerë e dy shoferë, njëri prej të cilëve gjeti vdekjen.