Rajoni

Kosova po “vishet me ar”/ Kush është ish-kampioni që stërvit vajzat kampione të xhudos?

Driton Kuka quhet trajneri i kombëtares së Kosovës që prej shumë vitesh stërvit Majlinda Kelmendin, Distria Krasniqin e Nora Gjakovën. Kuka ka lindur në Pejë më 15 shtator 1971. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Kuka është trajneri me i suksesshëm në sportin e vendit.

Ai ka qenë një sportist i xhudos në rininë e tij të hershme ku është shpallur kampion i 8-fishtë në të gjitha grupmoshat e ish-Jugosllavisë, Kampion Ballkanik, medalje e bronztë për të rinj në Evropë dhe medalje e bronztë në Kupën e Botës për te rritur në Hungari në vitin 1991.

Pas paraqitjes mbresëlënëse e stërvitjes së palëkundur, Kuka asokohe siguroi normën olimpike për Olimpiadën Barcelona 1992 por për shkak të trazira politike në ish-Jugosllavi  në ato vite e luftërave që pasuan, ai u tërhoq nga kombëtarja e ish-Jugosllavisë.

Në një intervistë të vitit 2018 ai rrëfen si e nisi karrierën si trajner në vitin 1999 e po kështu flet për Majlinda Kelmendin, që është padyshim xhudistja e parë me famë ndërkombëtare e Kosovës duke fituar trofe të shumtë.

Kuka thotë se synimi i tij kur nisi punën me fëmijët ishte t’i ndihmonte të merreshin me sport, të qëndronin larg rrugës e t’u jepte motive e stimuj. Teksa flet për sportistet e tjera që ka stërvitur, ai ‘parashikon’ suksesin e Distria Krasniqit e Nora Gjakovës në Olimpiadën e Tokios.

Po kështu ai rrëfen për planin e tij për ngritjen e një qendre xhudoje në Kosovë, për të ndërtuar një ekip më të madh profesionistësh që do jenë në gjendje të përfaqësojnë Kosovës në botë.

Nën drejtimin e Driton Kukës në Olimpiadën e Rios në vitin 2016, Kosova fitonte medalje ari në xhudo me Majlinda Kelmendin.

Dy ditë më parë, Distria Krasniqi do të hapte rrugën për Kosovën duke fiuar medaljen e artë në xhudo në kategorinë deri në 52 kilogramë.

Nërsa sot, Nora Gjakova i dha Kosovës medaljen e dytë të artë në xhudo në Olimpiadën e Tokios, një sukses i mahnitshëm për vendin, që vijon rrugëtimin në panteonin e veprimtarisë sportive më të madhe në botë.