Rajoni

Kosova shpall emergjencën energjetike!

Zyrtarisht, Kosova shpall gjendjen 60-ditore të emergjencës për shkak të krizës energjetike. Vendimi i Qeverisë u votua sot në Kuvend, me 57 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Masat emergjente përfshijnë: vendosjen e kufizimeve në furnizimin me energji për konsumatorët dhe të detyrimeve të veçanta për kompanitë energjetike.

Aktualisht, sistemi Elektro-Energjetik i Kosovës përballet me vështirësi të theksuara, nga rritja e ndjeshme e konsumit të energjisë elektrike në vend, prodhimit të pamjaftueshëm dhe krizës globale që ka çuar në rritjen e konsiderueshme të çmimit të energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare.

Kujtojmë se Shqipëria ka garantuar ndihmë për Kosovën në këto ditë të vështira për shkak të krizës energjetike. Kryeministri Albin Kurti falenderoi kolegun Edi Rama për gatishmërinë.

Ne e falenderojmë kryeministrin Edi Rama për mbështetjen. Ministrja jonë e Ekonomisë e ka bërë një kërkesë të tillë ndaj Shqipërisë. Kemi termocentrale, ata kanë hidrocentrale. Bëhet fjalë për 2 ditë që janë të rëndësishme sepse janë të ndërrimit të viteve dhe pastaj edhe ne do kemi mundësi t’i ndihmojmë në raste nevoje verën e vitit të ardhshëm.

Pas mbledhjes së sotme të qeverisë shqiptare, ministrja për Energjinë dhe Infrastrukturën, Belinda Balluku përsëriti se kryeministri Edi Rama ka kërkuar që të gjendet me çdo kusht një mundësi që të furnizohet Kosova për festa.

Të gjitha vendet po përballen me një krizë, ne do të sakrifikojmë do të heqim nga rezervat tona për t’ia dërguar Kosovës. Kemi bërë një rakordim, sasia e dërguar 7 mijë e 680 MWh. Do të nisim në orën 07:00 të datës 31 dhjetor dhe do të transmetojmë deri në orën 24:00 të datës 1 janar. Do të jetë një instrument që do të jetë depozitim, nuk presim shkëmbim financiar, nuk presim në këto kushte të vështira që ata ndodhen që të paguajnë para’, kjo sasi do të na kthehet kur ata të kenë komoditetin, në verë.