Rajoni

Kosova shpall gjendjen e emergjencës për furnizimin me energji elektrike

Qeveria e Kosovës ka vendosur për masa të emergjencës në furnizim të energjisë elektrike. Ky vendim ka dalë nga mbledhja e 51-të e qeverisë së Kosovës, e cila ishte mbajtur gjatë ditës së sotme. Sipas dokumentit të publikuar nga Zyra e Kryeministrit, masat emergjente në furnizim me energji përfshijnë vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.

Theksojmë se masat emergjente do të vlejnë për maksimalisht 60 ditë.

Qeveria poashtu përmes këtij vendimi ka vendosur edhe për themelimin e Komitetit Teknik Emergjent në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë – ky Komitet do të përbëhet nga një përfaqësues i Ministrisë së Ekonomisë, një nga ZRRE, një nga KOSTT, një nga KEK-u, një nga KEDS, një nga KESCO, një nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësis dhe Tregtisë, një përfaqësuese nga MPB-ja, një nga Komisioni për Miniera dhe Minerale dhe një anëtarë nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.

Ndryshe, reduktimet me energji elektrike ditëve të fundit janë rikthyer në vendin tonë, ku sipas Qeverisë së Kosovës, “Sistemi Elektro-Energjetik i Kosovës aktualisht është duke u përballur me vështirësi të theksuara si reflektim i rritjes së theksuar të konsumit të energjisë elektrike në vend, pamjaftueshmërisë së gjenerimit të brendshëm për ta mbuluar konsumin dhe krizës globale energjetike që ka rezultuar me rritjen enorme të çmimit të energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare.

Sakaq, Ministrja e Ekonomisë së Kosovës ka dhënë më shumë detaje rreth propozim-vendimit të Qeverisë për “Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë”.

Artane Rizvanolli tha se ky propozim vendim parasheh themelimin e Komitetit Teknik në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë me qëllim të identifikimit dhe paraqitjes së rekomandime për masa në sektorin e energjisë.

Rizvanolli ka shkruar në llogarinë personale në Facebook se komiteti do të identifikojë dhe rekomandojë zbatimin e masave për t’i trajtuar efektet negative të rrethanave të krijuara.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka marrë sot vendim për shpalljen e masave emergjente për kufizimin me energji elektrike në kohëzgjatje prej 60 ditësh, pas krizës energjetike që ka kapluar së fundmi vendin.

Postimi i plotë:

Sot kemi mbajtur mbledhjen e 51-të të Qeverisë së Kosovës virtualisht ku edhe kemi miratuar propozim-vendimin për “Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë”.

Ky propozim-vendim nuk parasheh ndërmarrjen e masave specifike por parasheh themelimin e Komitetit Teknik në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë me qëllim të identifikimit dhe paraqitjes së rekomandimeve për masa.

Komiteti Teknik parashihet të përbëhet nga përfaqësues të të gjitha institucioneve relevante si Ministria e Ekonomisë (ME), Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT), Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), Operatori i Sistemit të Distribucionit (KEDS), Furnizuesi i Shërbimit Univerzal (KESCO), Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), si dhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK).

Ky komitet do të identifikojë dhe rekomandojë zbatimin e masave për t’i trajtuar efektet negative të rrethanave të krijuara në bazë të të cilave Ministria e Ekonomisë do të marrë vendimin dhe publikojë masat kufizuese.

Duke u bazuar në këto rekomandime, Qeveria si masë emergjente do të vendosë obligime të veçanta për ndërmarrjet e energjisë me qëllim të trajtimit të çfarëdo mungese të papritur ose afatgjatë të kapacitetit prodhues energjetik, kapacitetit të transmetimit, apo të shpërndarjes së energjisë.

Propozim-vendimi i miratuar sot ka për qëllim mbrojtjen e konsumatorëve, mbrojtjen e sigurisë publike, si dhe kryerjen e shërbimeve të domosdoshme për menaxhimin e sigurisë së rrjetit. Për më shumë, ky propozim-vendim ka për qëllim trajtimin e kategorisë së konsumatorëve të mbrojtur në përputhje me legjislacionin për energji.