Rajoni

Kosova shtet, sot 13-vjetori i Pavarësisë

Kosova feston 13 vjet pavarësi. Të dielën e 17 shkurtit 2008 në orën 15:39 në Kuvend u lexua Deklarata e Pavarësisë nga Serbia. Në dokumentin e rëndësishëm, firmat e para i hodhën Fatmir Sejdiu, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi, në atë kohë në cilësitë e presidentit, kryeparlamentarit e kryeministrit. Menjëherë, Kosova e pavarur nisi të njihej nga shtetet mike. Me Amerikën, Britaninë, Francën, Turqinë, Kosta Rikën e Afganistanin, Shqipëria ishte ndër të parat që njohën Kosovën shtet dhe deri tani janë 117 vende që e kanë ndërmarrë këtë hap, më i fundit prej tyre, Izraeli.

Në 13-vjetorin e pavarësisë së Kosovës nuk mungojnë ceremonitë që nisën me ngritjen e flamurit shtetëror në oborrin e selisë së Qeverisë nga Garda Ceremoniale e Forcës së Sigurisë. Të pranishëm ishin ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, si dhe kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti. Në mesditë, Osmani e Hoti do të marrin pjesë gjithashtu në manifestimin qendror, në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

Presidentja në detyrë, Vjosa Osmani edhe kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, partia e të cilit fitoi zgjedhjet e 14 shkurtit, sot zhvilluan homazhe te varri i ish-presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. “Nderuam njeriun që sublimoi e unifikoi kërkesat e qytetarëve për liri e pavarësi, njeriun që i hapi dyert e botës në mënyrë që zëri ynë të dëgjohet kudo”, – deklaroi Osmani. Ndërkaq Kurti, kujtoi dëshmorët dhe martirët, për të cilët tha se “falë tyre, gëzojnë lirinë”.

Nuk mungoi mesazhi i Ambasadorit Amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett. Në një postim në “Facebook”, diplomati i Uashingtonit shkruan: “Ndërsa festojmë Ditën e Pavarësisë, partneriteti SHBA-Kosovë mbetet i palëkundur. Ne qëndrojmë në krah të popullit të Kosovës teksa ju ndërtoni një shtëpi të drejtë, paqësore e me prosperitet për të gjithë qytetarët”.