Rajoni

Kosova uron: “Gëzuar ditëlindjen Amerikë”!

Krerët institucionalë të Kosovës uruan Shtetet e Bashkuara të Amerikës për 244-vjetorin e pavarësisë. Presidenti Hashim Thaçi tha se populli i Kosovës është përjetësisht falënderues për mbështetjen amerikane në kohërat më të vështira dhe për suportin e vazhdueshëm të rindërtimit. Kryeparlamentarja Vjosa Osmani,  pasi ngriti flamurin amerikan në oborrin e Kuvendit tha se vlerat e Shteteve të Bashkuara janë frymëzim i përhershëm për Kosovën. Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në mesazhin e tij për 4 korrikun, Ditën e Pavarësisë së SHBA-së tha se kjo ditë është sinonim i lirisë, përparimit dhe shpresës për vendet demokratike në mbarë botën. 244-vjetori i pavarësisë po shënohet në kohën kur bota po përballet me pandeminë e koronavirusit. Sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins” në Amerikë janë mbi 2.7 milionë raste me koronavirus dhe mbi 125 mijë të vdekur.