Rajoni

Kosovë, apel për vazhdimin e vaksinimit masiv anti-COVID!

Në Kosovë, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ftoi qytetarët të vaksinohen kundër koronvirusit për t’i paraprirë valës së re të pandemisë, që pritet në vjeshtë e që nga ekspertët jepet me siguri. Vitia foli nga salla “1 Tetori” në Prishtinë, pasi mori dozën e parë të vaksinës AstraZeneca.

Vjeshta duhet të na gjejë me sa më shumë qytetarë të vaksinuar! Eshtë e vetmja mënyrë e nëse paraqitet një valë e re deri në vjeshtë, që sipas ekspertëve është pothuajse e pashmangshme, vetëm të vaksinuar ruajmë shëndetin, si dhe mirëqenien ekonomike e sociale!

Vitia foli edhe për hezitimin e qytetarëve që të marrin AstraZeneca-n por theksoi se vaksinat që përdor Kosova janë të miratuara nga Agjencia Europiane e Medikamenteve, EMA e Administrata Amerikane për Ushqimin e Ilaçet, FDA.

Më 3 korrik, Kosova pranoi mbi 182 mijë doza të AstraZeneca-s, dhuratë nga Norvegjia. Për 12 mijë prej tyre, afati skadon më 31 korrik ndërsa pjesës tjetër në fund të gushtit. Por kjo nuk e ka penguar Ministrin e Shëndetësisë të vaksinohet me një prej tyre. Gjithashtu, Vitia foli për vaksinimin në komunat me shumicë serbe.

Në disa nga komunat në pjesën veriore ku shkuan ekipet tona, banorët treguan se një pjesë e madhe është vaksinuar e nuk ka nevojë për vaksina. Në të tjera u dërguan vaksina por nuk kam shifër të saktë! Qytetarët që duan do të vaksinohen! Komuniteti rom e ata ashkali dhe egjiptian do të ndihmohen nga ekipet e lëvizshme që të regjistrohen e vaksinohen.

Deri tani, Kosova ka mbi 2 milionë vaksina e të mjaftueshme në stoqe. Ndërkaq, këtë javë do të bëhet rishikimi i masave anti-COVID. Vendi nisi vaksinimin kundër koronavirusit në fund të marsit e më 15 qershor, atë masiv. Deri dje u vaksinuan mbi 236 mijë qytetarë, rreth 58 mijë prej tyre, plotësisht.