Rajoni

Kosovë/KQZ shpall rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme!

Kosova ka rezultatet zyrtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit. Me 49.9% të votave, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka siguruar 58 deputetë, rekord në historinë parlamentare të vendit. Bazuar në rezultatin përfundimtar të shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Partia Demokratike merr 19 deputetë, Lidhja Demokratike 15 e Aleanca për Ardhmërinë 8. Siç dihet, 20 vende në Kuvendin e Kosovës i rezervohen komuniteteve.

10 prej tyre i fitoi Lista Serbe. Vjosa Osmani e cila garoi në kuadër të listës së Vetëvendosjes rezulton më e votuara me më shumë se 300 mijë vota. Osmani kryeson dukshëm përballë mbi 100 mijë votave të Enver Hoxhajt të PDK-së, rreth 70 mijë të kryeministrit në largim Avdullah Hoti e mbi 41 mijë të Ramush Haradinajt.

Shpallja e rezultatit zyrtar të zgjedhjeve në Kosovë nuk nënkupton përmbyllje të procesit elektoral. Radhën e ka shqyrtimi i ankesave të kandidatëve e partive politike. Nëse kanë pretendime, fillimisht duhet t’i drejtohen Panelit Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa e nëse nuk marrin zgjidhje, edhe Gjykatës së Lartë. Me adresimin e tyre i hapet rrugë certifikimit të rezultatit zgjedhor dhe konstituimit të Legjislaturës së 8-të të Kuvendit të Kosovës, me gjasa brenda muajit. Në zgjedhjet e 14 shkurtit, pjesëmarrja ishte 48.78%.

Për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, Vetëvendosjes i duhen 61 deputetë, tre më shumë nga sa ka aktualisht. Kryetari Albin Kurti e ka bërë të qartë se do t’i drejtohet komuniteteve jo serbe që siguruan 10 ligjvënës. Por krahas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Ekzekutivit të ri, këtë herë, Kosova përballet me një situatë të paprecedentë kushtetuese. Automatikisht, kreu i ri i Kuvendit do të ketë dhe rolin e ushtruesit të detyrës së presidentit, post që ka mbetur vakant nga dorëheqja në nëntor e Hashim Thaҫit pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Hagë. Deri tani, detyrën e ka ushtruar kryeparlamentarja Osmani.