Rajoni

Kosovë, ministri i Financave bën thirrje për deklarim të të ardhurave personale

Ministri i Punës, Financave dhe Transfereve në Kosovë, Hekuran Murati, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të deklarojnë të ardhurat personale, të cilat nuk tatohen në burim, siç ndodh me pagë. Afati për deklarim të të ardhurave të vitit të kaluar është deri më 31 maj.

Në një konferencë për media, Murati ka thënë të hënën se ekzistojnë disa paqartësi në publik rreth asaj se kush duhet ta plotësojë formularin për këto të ardhura.

Murati ka përmendur shembullin e lëshimit të shtëpisë apo banesës me qira ndaj një entiteti që nuk deklaron tatim dhe nuk e ka pasur në burim tatimin.

“Rëndom te qiradhënia, bizneset e ndalin tatimin ndërsa personat fizikë nuk e kanë këtë tendencë, prandaj obligohen ndaj pagesës së tatimit”.

Përveç qirasë, të hyra pa tatim në burim janë edhe: Fitimet kapitale – shitblerja e paluajtshmërisë, letrave me vlerë, kriptovalutave, apo shitja e aksioneve. Burimet nga jashtë – ku përfshihen punonjësit brenda dhe jashtë shtetit ndaj të cilëve punëdhënësi nuk ka shumë detyrime (freelancers) apo edhe të ardhurat nga rrjetet sociale, përfshirë YouTube, Google.

Murati ka thënë se llogaritet që rreth 10 për qind duhet të jetë vlera tatimore që secili qytetar obligohet ndaj shtetit.

Ai ka theksuar se obligimi tatimor ka ekzistuar edhe më herët, mirëpo tani vetëm po kërkohet që të zbatohet ligji.

“Në platformë janë edhe vitet paraprake, nëse keni pasur të ardhura edhe vitet e kaluara, mund të deklarohen edhe ato për të shmangur çfarëdo shkelje”.

Sipas tij ata që nuk e paguajnë tatimin mund të trajtohen si raste të evazionit fiskal.

Në ATK kanë thënë më parë se ekonomia joformale në Kosovë, nga mekanizmat ndërkombëtarë, është vlerësuar të jetë deri në 30 për qind të Bruto Produktit Vendor.

Si të bëhet ky deklarim?

Ministri Murati ka thënë se të gjithë qytetarët mund të gjejnë formularin online në faqen e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Brenda 24 orëve e sigurojnë numrin fiskal dhe përmes tij mundësohet kyçja në platformë.

Nga mbi 213,000 biznese, sa janë të regjistruara në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, vetëm mbi 37 mijë janë të fiskalizuara, sipas ATK-së.

Bazuar në këto të dhëna, shumë biznese vazhdojnë t’u ikin obligimeve tatimore që kanë ndaj shtetit.

Zyrtarë të kësaj administrate thonë se në rast se bizneset nuk fiskalizohen, vendosen gjoba konform ligjit.

Sipas një përgjigjeje me shkrim të ATK-së dërguar Radios Evropa e Lirë, vlera e gjobës për mospajisje me arkë fiskale është 1,000 euro, ndërsa dënimi për moslëshim të kuponit fiskal është 125 euro.

“Vetëm gjatë vitit 2021 janë vizituar 4,953 biznese për moslëshim të kuponëve fiskalë, ku prej këtyre vizitave janë lëshuar 5,870 dënime në vlerë prej mbi 1.2 milion eurosh”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

Në ATK thonë se kanë partneritet me qytetarët që raportojnë raste të shumta që nuk lëshojnë kuponë fiskalë, por edhe rastet kur në vend të kuponit fiskal lëshohen fatura tjera jofiskale.