Rajoni

Kosovë, miratohet në parim Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme!

Në Kuvendin e Kosovës u votua në parim projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Drafti kaloi me 58 vota të maxhorancës, pa mbështetjen e opozitës. Tre deputetë abstenuan, mes tyre kryeparlamentari, Glauk Konjufca. Në këtë projektligj përcaktohet që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë mund të jenë subjekt i verifikimit të pasurisë, nëse ekzistojnë dyshime se është përfituar në mënyrë të paligjshme.

Përveç tyre, verifikimi dhe konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do të bëhet edhe për anëtarët e familjes e palët e treta, që nënkupton personat te të cilët dyshohet se ka kaluar pasuria e zyrtarëve publikë. Kryeministri Albin Kurti tha se është e rëndësishme që të takohen si subjekte politike.

Eshtë e domosdoshme që të kemi sa më shumë konsultime si subjekte politike. Përveç kësaj, duhet të bëjmë ndarjen e qartë të gjërave që nuk janë të njëjta: byroja dhe vetting-u nuk janë e njëjta gjë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, bëri të ditur se do të adresohen edhe rekomandimet e Komisionit të Venecias. Por, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, theksoi se partia e tij nuk e mbështet Qeverinë, nëse nuk ka gjithëpërfshirje.

Ju keni kërkuar gjithëpërfshirje e ne po kërkojmë gjithpërfshirje… Ju, kryetar i Kuvendit, keni marrë përsipër dërgimin e këtij ligji në Komisionin e Venecias dhe nismën tuaj e kemi vlerësuar. Jam vullnetar në verifikimin e pasurisë, vërejtjet janë për të mbrojtur rendin kushtetues dhe për të bërë reformën.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, vuri në dukje se për reformën në drejtësi është i rëndësishëm konsensusi politik.

Konsensusin për reformën në drejtësi e shoh jashtëzakonisht të rëndësishëm… mendoj që edhe këtu, Qeveria duhet të reflektojë!

Kreu i Grupit Parlamentar të Alencës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri:

Nuk mund ta bëjë as vetting-un e as këto ligje një parti. Nëse shumica hyn në këtë proces pa koordinim, nuk do ta mbështesin.

Drafti për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme përfshin periudhën nga data 17 shkurt 2008 dhe deri brenda dhjetë vjetësh nga momenti kur zyrtarët publikë pushojnë së ushtruari funksionin e tyre.

Byroja udhëhiqet nga drejtori i përgjithshëm që votohet nga Kuvendi i Kosovës me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm. Votimi për zgjedhjen e drejtorit bëhet në mënyrë të fshehtë. Mandati i tij është pesëvjeçar.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se qëllimi i projektligjit është legjitim, por në disa aspekte nuk e respekton Kushtetutën e Kosovës. Sipas ministres Haxhiu, në konstatimet e Komisionit të Venecias rekomandohet ndërmarrja e veprimeve për ndryshimet e nevojshme ligjore dhe kushtetuese, që të arrihet rezultati i synuar për një gjyqësor me integritet profesional dhe efikas.